Basha fletë për misionin e pambaruar të PD-së

Shqipëria

Basha fletë për misionin e pambaruar të PD-së

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 16:47
Lulzim Basha

Lulzim Basha deklaroi se misioni i pambaruar, por i palëkundur i Partisë Demokratike është dënimi i plotë i vrasësve dhe kriminelëve komunistë.

Nëpërmjet Facebook, Basha kujtoi viktimat e komunizmit, në ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit.

Basha përmend edhe “egërsinë kriminale të diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri, ku dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje.

Postimi i plotë i tij:

Gati 100 milionë persona gjetën vdekjen nga komunizmi, të vrarë direkt për qëllime politike ose të vdekur si pasojë e mjerimit që komunizmi solli për miliona njerëz.

Në librin e errët të komunizmit, Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysëm shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushpëlarjes në Europë.

Sot, në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.

Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit, dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundër i Partisë Demokratike,” shkruan Basha në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat