OSHEE hap procedurat për importin e shtatorit, ja sa energji kërkon

Shqipëria

OSHEE hap procedurat për importin e shtatorit, ja sa energji kërkon

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 17:40
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hapi procedurat për importin e energjisë në shtator. Kjo vjen vetëm pak ditë pas hapjes së të njëjtës procedurë nga ana e Korporatës Elektroenergjitë Shqiptare.

Sipas burimeve zyrtare KESH do të sigurojë vetëm pjesën që i takon dhe që është prodhim i munguar për shkak të remonteve në turbinat e hidrocentraleve. Kjo do të bëjë që sasia të jetë modeste në raport me kërkesën reale që duhet për të plotësuar konsumin. Edhe kredia e autorizuar nga Banka Botërore prej 22.4 milionë euro nuk mund të përdoret menjëherë por në disa transhe.

OSHEE njoftoi se do të presë oferta nga kompanitë e interesuara për tre opsione furnizim. Afati për lëvrimin mbetet i njëjtë 1-30 shtator ndërkohe që oraret dhe fuqia ndryshojnë.

Kështu Loti i parë përfshin deri në 140 MW dhe përfshin një hark kohor 24 orësh 00:00-24:00.

Loti i dytë përfshin fuqinë deri në 150 MW për një furnizimin 18 orësh që nis nga 06:00-24:00.

Loti i tretë përfshin një fuqi deri në 220 MW dhe furnizim prej 14 orësh nga 08:00-22:00.

Në lidhje me këtë kërkesë OSHEE do të presë edhe ofertat që do të vijnë duke bërë më pas kombinimet që i interesojnë në bazë të çmimit më të leverdishëm por edhe sasisë së ofruar.

Operatorët e interesuar duhet që të paraqesin ofertat e tyre të cilat duhet të jenë të vlefshme deri më datë 28 gusht ndërkohe që paraqitja e ofertave duhet të bëhet deri më datë 24 gusht (nesër).

Ashtu sikurse ka ndodhur dhe më herët pas paraqitjes së ofertave OSHEE hyn në negociata me kompanitë për të arritur edhe një raport më të mirë mes sasisë së lëvruar dhe çmimit të ofruar.

Gjatë dy muajve të fundit furnizimi në vend është mbështetur tek importet që janë kryer nga vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Totali i importeve ka kaluar për korrik dhe gusht mbi 50 milionë euro.

Situata e thatësirës dhe temperaturat e larta kanë detyruar që KESH të prodhojë në minimum ndërkohë që qeveria vendosi të rriste huadhënien për energjinë me 3 miliardë lekë për shkak të vështirësisë ku ndodhet sektori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat