Shpërthimi në makinën e Qarrit, autori aktivizoi tritolin me fitil, asnjë kamera sigurie në zonë

Shqipëria

Shpërthimi në makinën e Qarrit, autori aktivizoi tritolin me fitil, asnjë kamera sigurie në zonë

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 19:57
Naim Qarri

Një ditë pas shpërthimit të eksplozivit në makinën e presidentit të ekipit të Kamzës, Policia e Tiranës ka përqendruar hetimet në çështjen e borxheve, ndonëse vetë pronari i mjetit i ka mohuar edhe dje. 

Naim Qarri është marrë sërish në pyetje nga oficerët e Policisë, duke deklaruar se nuk ka asnjë konflikt në biznesin e tij, qoftë për konkurrencë apo çështje borxhesh.

Gjithashtu, ka hedhur poshtë edhe dyshimet e hetuesve për ndonjë konflikt të mundshëm personal që mund të ketë. Burime nga Policia thanë dje se janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dhjetëra persona, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, por edhe si të dyshuar.

Megjithatë, pas disa orësh ata janë lënë sërish të lirë. Deri tani ende nuk ka asnjë person konkret të dyshuar për shpërthimin në makinën tip “Hummer”, të Naim Qarrit.

Burimet thanë se të gjithë personat e pyetur, përfshirë edhe vetë pronarin e mjetit, kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë person të dyshimtë para apo pas ngjarjes. Nga ana tjetër, në zonën nuk është gjetur asnjë kamera sigurie, që mund të ndihmonte grupin hetimor për identifikimin e autorit të ngjarjes.

Pavarësisht se aktivizimi i tritolit është bërë nga afër me fitil, autori nuk është parë nga askush, as kur i është afruar mjetit dhe as kur është larguar pasi ka ndezur fitilin. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në zonën e Bathores në Tiranë. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, pasi automjeti tip “Hummer”, ka qenë i parkuar, në momentin kur është aktivizuar lënda plasëse.

Në kohën kur ndodhi ngjarja, Qarri ndodhej në lokalin pranë të cilit e kishte parkuar makinën. Sapo është ndjerë shpërthimi, të gjithë personat që ndodheshin në lokal kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur e më pas kanë lajmëruar Policinë.

Burime nga grupi hetimor thanë se paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një sasi të vogël eksplozivi, rreth 150 gram tritol që ka shpërthyer në pjesën e përparme të mjetit.

Pronari i mjetit, Naim Qarri është pyetur paraprakisht në vendin e ngjarjes dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim konkret për autorësinë, pasi nuk ka probleme me njeri. Megjithatë, burimet thanë se po hetohet për ndonjë çështje të mundshme borxhesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat