Qeveria “Rama 2”: A janë këto ministritë që shkrihen dhe emrat e rinj të kabinetit?

Shqipëria

Qeveria “Rama 2”: A janë këto ministritë që shkrihen dhe emrat e rinj të kabinetit?

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 20:14
Edi Rama dhe ministrat

Mbeten edhe katër ditë për të shuar hamendjet dhe dilemat lidhur me qeverinë e re. Këtë herë Rama ka pritur fund-gushtin për të shpallur formacionin e ri të ekzekutivit.

Ndërkohë që katër vite më parë ai e shpalli qeverinë me 31 korrik. Me sa duket, ndryshe nga si u duk në pamje të parë, timoni pa të tjerët në prehër ka futur kryesocialistin në një valë shumë më të gjatë mendimesh se sa katër vite më parë, kur e ndau tepsinë me Ilir Metën qysh në Korrik, pa asnjë problem.

Pavarësisht shumë hamendjeve e plot qeverive të reja që zhduken e shfaqen nëpër media e portale, kjo është hera e parë pa asnjë rrjedhje serioze informacioni nga rrethi i fituesit të zgjedhjeve në historinë e medias pluraliste. Por, sidoqoftë, disa elemente duket se konvergojnë po të kihen parasysh edhe sinjalet e dhëna nga vetë Edi Rama.

Së pari, Gramoz Ruçi do të jetë kryeparlamentari i ri i Shqipërisë, dhe këtë nuk e diskuton më askush. Fatmir Xhafaj do të rikthehet në zyrën prej ku u largua pas marrëveshjes së 18 Majit. Qeveria e Re do të jetë më e vogël dhe numri i portofolave ministrore mund të bjerë në 14 apo 15.

Një burim i besueshëm i tha Televizionit Klan se shefi i qeverisë ka lënë të kuptohet se po studion mes të tjerash dhe bashkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me atë të Drejtësisë.

Ndërkohë nuk ka arsye të mendohet se Rama do të shfaqet këtë herë më pak i angazhuar në drejtim të baraspeshës gjinore të ekzekutivit. Kështu që numri i grave në kabinetin Rama 2 me siguri që do të jetë i kënaqshëm për gjysmën e popullsisë femërore të Shqipërisë.

Disa prej ministrave me siguri nuk do të rikthehen në kabinet dhe po ashtu, duke e njohur Edi Ramën, nuk është e vështirë të parashikohet se qeveria do të ketë edhe emra krejt surprizë.

Gramoz Ruçi do të lërë bosh dy vende, që peshojnë më shumë se dy vende në kabinet, atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe atë të Kryetarit të Grupit Parlamentar.

Në pozicicionin e parë, emrat zëvendësues diskutohen Mimi Kodheli, Taulant Balla apo Blendi Çuçi. Ndërsa për kreun e grupit parlamentar emrat e Pandeli Majkos, Saimir Tahirit dhe Eduard Shalsit.

Së fundmi të vetmit ministra, të cilët shumë zor se nuk do të jenë në kabinetin e ri, janë Damian Gjiknuri dhe Lindita Nikolla. Të dy kanë bërë reformat më të vështira, siç e ka përsëritur shpesh vetë Edi Rama dhe kanë realizuar dy rezultatet më spektakolare të Partisë Socialiste në 25 Qershor, së bashku me atë të Fierit dhe të Durrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat