Vjedhjet e turistëve, policia regjistron 35 raste. Pre bien edhe të huajt

Shqipëria

Vjedhjet e turistëve, policia regjistron 35 raste. Pre bien edhe të huajt

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 20:58
Ilustrim

Policia e Shtetit thotë se, gjatë këtij sezoni turistik, janë regjistruar deri më tani 35 vjedhje ose grabitje, në zonat bregdetare por edhe ato malore, që frekuentohen nga pushuesit vendas dhe të huaj.

“Po të shohim muajin gusht, objekt vjedhjesh kanë qenë celularët, në një rast kemi vjedhje automjeti, një tjetër vjedhje kasaforte, ndërsa portofolët dhe varëset janë më të shumta, duke u evidentuar 10 raste. Në këtë sezon turistik ka një veçanti, sepse përveç dëmtimit të shtetasve shqiptarë kemi edhe të dëmtuar në 15 raste edhe shtetas të huaj, përfshi këtu kosovarë, maqedonas, suedezë, polakë”, tha Albert Dervishaj, drejtor i Rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishaj thotë për Top Channel se janë vënë në pranga disa të rinj, që i realizonin vjedhjet në grup, ndërkohë që hetimet vijojnë për disa ngjarje të tjera të pazbardhura.

“Një nga mekanizmat që ata përdorin është që, pasi kanë realizuar dy apo 3 vjedhje të largohen, në mënyrë që t’i shpëtojnë edhe ndjekjes së policisë, por edhe të vijojnë krimin në një vend tjetër. Një mekanizëm i tillë është shfaqur në disa raste, ku elementë shëtitës kanë realizuar vjedhje në vende të ndryshme në vendin tonë”, theksoi Dervishaj.

Policia e Sarandës arrestoi pak kohë më parë edhe disa të rinj, që kryenin vjedhje masive me armë e dhunë përtej kufirit, në fshatrat e Igumenicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat