“Nuk kam lekë”/ Ukrainasi ndërron garancinë tetë mijë euroshe me burgun

Shqipëria

“Nuk kam lekë”/ Ukrainasi ndërron garancinë tetë mijë euroshe me burgun

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 22:30
Ilustrim

Turisti ukrainas që u arrestua për vjedhjen e 8300 eurove në Sarandë, “konverton” garancinë pasurore me burgun.

Gjykata vendosi që Oleg Koval të hetohej i lirë duke i vendosur një garanci pasurore prej 8 000 eurosh.

Por turisti 43- vjeçar zgjedh të qëndrojë në burg pasi nuk ka të ardhura për të lënë garanci një shumë kaq të madhe. Koval kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar pushimet verore bashkë me djalin e tij, ku qëndruan disa ditë në Sarandë pas fatkeqësisë së humbjes së bashkëshortes.

Por, Koval u kthye në personazh të kronikës së zezë pasi u arrestua në Rinas me akuzën se i kishte vjedhur një biznesmeni në Sarandë një shumë prej 8300 eurosh.

Fillimisht, Gjykata e Sarandës vendosi ta lërë të lirë atë në këmbim të një garancie pasurore në vlerë 8000 euro. Por mësohet se ai nuk e ka pranuar këtë masë sigurie me arsyetimin se “nuk ka të ardhura, e për këtë do të qëndrojë në burg”.

Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, Koval e pranoi masën edhe pse ai ka qenë mohues për akuzën.

Por, më pas mësohet të jetë tërhequr nga ajo, duke pranuar të qëndrojë në paraburgimin e Sarandës deri në përfundim të hetimeve. Koval u arrestua mbrëmjen e 10 majit, kur policia kufitare e Rinasit e ndaloi pak para se të nisej charterin ku ai udhëtonte me të birin 11-vjeçar. Ata kishin ardhur me pushime në Sarandë pas vdekjes së bashkëshortes së Koval, me qëllim që i biri të kalonte traumën.

Por, një denoncim në Komisariatin e Sarandës nga biznesmeni nga Tirana, Ilien Prifti, 40 vjeç, bëri që të vihej në pranga. Prifti kallëzoi se ndërsa ndodhej me pushime në Sarandë, i kishin vjedhur 8300 euro nga portofoli.

Arrestimi i turistit nga Ukraina erdhi pasi nga kamerat e sigurisë, policia tha se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuzë ndaj tij. Në bazë të pamjeve nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë zonës së plazhit, shihet momenti kur 43- vjeçari ukrainas përkulej mbi shezlongun e biznesmenit, të cilin e kishte bërë mik gjatë pushimeve.

Ky filmim duket se ka qenë indicie për shpalljen në kërkim të tij dhe më pas kapjen në aeroport. Koval, përmes një deklarate pranoi që i biri të udhëtonte i vetëm, ndërkohë që vetë u dërgua me pranga në Sarandë. Në momentin e arrestimit në Rinas, atij iu sekuestruan 1600 euro që iu gjetën në xhep, shkruan Panorama.

Gjatë seancës së drejtuar nga trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtare Enkeleda Doda, në ngarkim të shtetasit ukrainas Oleg Koval, me profesion inxhinier, ky i fundit bëri para trupit gjykues një përshkrim të jetës së tij, ndërsa për ndihmë mes palëve ishte prezent edhe një përkthyese në gjuhën ruse. Koval tha para gjykatës se ndodhej në Sarandë për pushime me djalin e tij, pas fatkeqë- sisë familjare të ndodhur pak kohë më parë, ku kishte humbur bashkëshorten. Deri në fund të seancës, 47-vjeçari Koval nuk ka pranuar se është ai autor i vjedhjes së kryer.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat