Sulme terroriste në Evropë, Policia e Shtetit shton masat e sigurisë

Shqipëria

Sulme terroriste në Evropë, Policia e Shtetit shton masat e sigurisë

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 10:10
Rinas

Pas sulmeve terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimeve për sulme të tjera nga ISIS, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe kufirit.

Kështu do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, trupit diplomatik etj.

Gjithashtu do të forcohen masat e kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar e kufirit të gjelbërt për persona që konsiderohen me risk, mjete dhe sende të kundraligjshme.

Paralelisht strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të   personave me risk, me prirje radikale por edhe lidhjet e tyre.

Këto struktura kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim  parandalimin, zbulimin  e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.

Në këtë kuadër Policia e Shtetit me strukturat e saj të specializuara kërkon mirëkuptimin për këto masa shtesë dhe njëkohësisht bashkëpunimin për të denoncuar çdo dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie, duke ofruar numrat e telefonit falas 112 dhe 129.

Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët që na kanë besuar me denoncimet duke i siguruar se reagimi ka qenë është e do të jetë i menjëhershëm e profesional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat