Ekipi i ri i Lulzim Bashës, emrat e rinj dhe të larguarit

Shqipëria

Ekipi i ri i Lulzim Bashës, emrat e rinj dhe të larguarit

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 15:44
Lulzim Basha

Lulzim Basha mori një mandat të ri 4-vjeçar në krye të PD-së më 22 korrik, por struktura drejtuese e partisë do të vazhdojë të jetë e njëjtë.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka përfunduar pushimet dhe është rikthyer gjatë paradites së djeshme në zyrën e tij, duke nisur hartimin e strategjisë së opozitës në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Pasi arriti të merrte një fitore të thellë përballë Eduard Selamit në garën për kreun e PD-së, Basha deklaroi se është koha që demokratët të bashkohen dhe premtoi se vendi do të ketë një opozitë të fortë.

Megjithatë, të paktën për afro 6 muaj, duket se strukturat drejtuese në Partinë Demokratike do të vazhdojnë të kenë të njëjtët anëtarë. Kështu, deri në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar demokrat, i cili do të zgjedhë edhe Këshillin e ri Kombëtar të PD-së, sekretariatet dhe departamentet në PD do të drejtohen nga të njëjtët persona. Kryesia e PDsë është e vetmja strukturë që do të pësojë ndryshime për shkak të largimit të disa deputetëve.

LARGIMET

Vendimi i Bashës për të lënë jashtë listave për deputetë i shumë prej figurave historike në PD, automatikisht i ka përjashtuar këta të fundit edhe nga Kryesia e PDsë. Kështu, ish-kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, duke mos qenë më deputete, nuk do të jetë as pjesë e Kryesisë së PD-së. Të njëjtin fat do të kenë edhe Ridvan Bode dhe Genc Ruli, dy ish-nënkryetarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese. Edhe pse pa mandat deputeti, Arben Ristanin nuk e pengon asgjë për të vijuar të jetë në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Jashtë Kryesisë së PD-së do të jetë edhe Besnik Aliaj, i cili edhe pse ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, vendosi të jepte dorëheqjen nga çdo pozicion në strukturat e PDsë, duke u hapur rrugë të rinjve. Një tjetër i dorëhequr nuk do të jenë në Kryesinë e Partisë Demokratike. Ish-drejtuesi i Departamentit për të Përndjekurit Politikë, pas rizgjedhjes së Bashës në krye të PD-së, paraqiti dorëheqjen nga pjesëmarrja në strukturat e PD-së.

Kësaj liste mund t’i bashkëngjiten të tjerë emra, për funksione të cilat janë kompetencë ekskluzive e kreut të partisë. Kështu do të jetë vetë Basha ai që do të përcaktojë nëse do të vijojë të mbajë dy nënkryetarët ekzistues, Edi Palokën dhe Edmond Spahon, sekretarin e grupit, Gent Strazimirin, dhe zëdhënësen e grupit, Jorida Tabakun. Ndërkaq, në varësi të rishpërndarjes së pozicioneve të opozitës në komisionet parlamentare, mund të ketë emra të rinj që hyjnë në Kryesi dhe deputetë ekzistues që largohen nga Kryesia.

ORGANIZIMI

Emrat ekzistues në krye të sekretariateve dhe departamenteve do të mbeten të pandryshuar deri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Nëse Partia Demokratike do të hyjë në proces analize dhe riorganizimi, ashtu si Basha ka premtuar, atëherë do të nisë organizimin nga struktura më e thjeshtë deri në zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar të PD-së. Kështu do të nisë me përzgjedhjen e drejtuesve të seksioneve, grupseksioneve, për të vijuar me zgjedhjen e kryetarëve të rinj të PD-së në rrethe.

Pas zgjedhjes së kryetarëve të degëve, do të duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar, i cili do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar të demokratëve. Ky këshill, në mbledhjen e parë të tij, do të duhet të zgjedhë edhe sekretarët dhe drejtuesit e rinj të departamenteve në PD. I gjithë procesi i riorganizimit të strukturave mund të kërkojë të paktën 6 muaj kohë. Megjithatë, nëse Lulzim Basha do të kërkojë një formatim të shpejtë të sekretariateve dhe departamenteve, mund t’i bëjë ndryshimet duke mbledhur edhe Këshillin Kombëtar që është në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat