Raporti: 1480 përfaqësuesit e PS që dorëhiqen pas dështimit në zgjedhje

Shqipëria

Raporti: 1480 përfaqësuesit e PS që dorëhiqen pas dështimit në zgjedhje

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 17:12
Edi Rama

Rezultati i dobët zgjedhor në 25 qershor, do të largojë nga drejtimi i organizatave socialiste 1480 kryetarë. Raporti konfidencial i Partisë Socialiste, që i bën analizë punës së strukturave dhe rezultatit të zgjedhjeve, del në përfundimin se 1480 organizata socialiste kanë marrë rezultat më të ulët në zgjedhje, krahasuar me 2013, ndërsa 2328 organizata kanë pasur rezultat më të lartë se katër vjet më parë, shkruan “Panorama”.

Sipas statutit të PS, nëse rezultati në zgjedhje është më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, kreu socialist përjashtohet nga kandidimi.

“Organizimi elektoral u parapri nga përcaktimi i objektivave dhe projektimi i numrit të votave potenciale të PS për çdo OS; objektiv, i cili u arrit nga 6 qarqe: Berat, Durrës, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë. Partia Socialiste pësoi rënie nga rezultati i arritur në 2013 në 1480 organizata. Rënia totale në këto organizata ishte afërsisht 42 mijë vota, ndërsa në 2328 organizata morëm një rezultat më të mirë se në 2013, duke sjellë në total 100 mijë vota më shumë për PS në 2017. Nga 3828 OS të analizuara në të gjithë vendin, vetëm 1657 ose 43.3% prej tyre, arritën objektivin elektoral të PS”,thuhet në raportin e përgatitur nga grupi i punës për analizën e zgjedhjeve.

MANDATET 
Edhe pse Partia Socialiste doli mbi parashikimin e saj për të marrë 71 mandate në zgjedhjet e 25 qershorit, duke marrë 74 deputetë, grupi i punës, i caktuar nga Kryeministri Rama, në përbërje të të cilit ishin Fatmir Xhafaj, Blerina Gjylameti, Ilir Pendavinji, Alket Hyseni, Ana Dhamo, Flamur Golemi dhe Arben Kamami, ka bërë edhe analizën se ku ka pasur defekte dhe mangësi në punën e brendshme të strukturave të saj.

Tabela e rezultateve për çdo qark, tregon se qarqet e Korçës, Tiranës dhe Elbasanit, në shumicën e organizatave socialiste kanë marrë rezultat negativ, edhe pse Tirana si qark fitoi dy mandate më shumë deputetësh dhe Elbasani një mandat më shumë krahasuar me 2013. Ndërsa më mirë në numër organizatash me rezultate pozitive, janë qarqet e Vlorës, Kukësit dhe Lezhës.

VOTUESIT 
Raporti jep të dhëna dhe për zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë dhe ata që nuk kanë votuar më parë Partinë Socialiste, ndërsa duket se grupet e patronazhit kanë qenë shumë afër parashikimit të rezultatit.

“Mbledhja e votave të reja nga zgjedhësit që nuk kanë votuar në 2013 ose që votonin për herë të parë në 2017, raportohet të ketë sjellë mbi 60 mijë vota për PS, vetëm nga këto dy grupime dhe kjo na inkurajon që në të ardhmen të përgatisim politika elektorale specifike për këto kategori zgjedhësish. U mundësua pjesëmarrja në votim e 762.607 zgjedhësve votues pro PS ose 89% e numrit të zgjedhësve të evidentuar si zgjedhës për PS nga sistemi i patronazhimit”, thuhet në raport.

Gjithashtu, jepen detaje edhe për rritjen e anëtarësisë së PS gjatë dy viteve të fundit.

“Nga fundi i vitit 2015, deri në fund të vitit 2016, në kuadër të aksionit kombëtar për rritjen e numrit të anëtarësisë së partisë, u bë një punë e mirë për shtimin e radhëve të partisë me anëtarë të rinj. Gjatë kësaj periudhe, u pranuan në parti rreth 40 mijë anëtarë të rinj, duke bërë të mundur, jo vetëm përmirësimin e përbërjes së anëtarësisë në OS me prurje të reja, sidomos nga radhët e të rinjve dhe grave, por edhe duke ulur raportin anëtar partiezgjedhës nga 1:45 zgjedhës, në 1:36 zgjedhës në shkallë vendi”, thuhet në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat