Ish-ministri i PD: LSI do të bëjë opozitë të fortë

Shqipëria

Ish-ministri i PD: LSI do të bëjë opozitë të fortë

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 18:12
Kuvendi i Shqiperise

Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ish-ministri i PD-së, publicisti dhe shkrimtari Besnik Mustafaj deklaron se qeveria e re do kalojë një “kohë rehatie”.

I ftuar në studion e lajmeve në “News 24”, Mustafaj tha se nuk shpreson që Partia Demokratike do bëjë një opozitë të fortë.

“Duhet të kemi parasysh gjendjen e opozitës, është ajo që i ndez motorët. Opozita është në gjendje të dobët, jo thjesht numerikisht. PD është dobësuar, lidershipi i saj është ende i palegjitimuar, nuk rrezaton shpresë se do t’i përshtatet sfidave të reja, pavarësisht se si e mori drejtim. Nga ana tjetër kemi edhe LSI që kalon në opozitë pas një qeverisjeje disa vjeçare. Kjo më bën të mendoj se do jetë një kohë rehatie për qeverinë, sigurisht jo kohë normale”,- tha Mustafaj.

Por duke u ndalur tek LSI-ja, Mudstafaj veçoi lidershipin e saj dhe tha se beson tek forca goditëse që ka.

“LSI ka energji opozitare, mbledh rreth vetës shumë më tepër të rinj se forcat e tjera, duhet besuar se këta të rinj mund të jenë një shpresë. Besoj se LSI ka fuqi goditëse, por shpeshherë i ngatërron objektivat. Edhe ata kanë kryetar të ri, zonja Kryemadhi është e re, mungesa e Metës do ndjehet, por duhet ta kemi besim tek zonja Kryemadhi”,- shtoi ai.

Sa për një ringritje të PD-së, Mustafaj nuk i kurseu kritikat ndaj Bashës. Sipas tij, partia nuk mund të ringrihet me një “fake lider”.

“Shoh ftohje dhe largim të njerëzve nga politika. Nuk është se shkojnë tek PS, ata të PD, por po i largohen aktivitetit të PD. Gjithçka varet se sa lidershipi do të mund të ndërtojë veten. Ne kemi një fake lider, si i tillë nuk po tregon ende vizionin e duhur për të bashkuar demokratët”,- tha ish-ministri, raporton BalkanWeb.

E sa për dy zërat e fortë që do ketë PD-ja në Kuvend, Berishën e Bashën, Mustafaj u shpreh: “Mbetet për tu parë se cili do të jetë zëri më i fortë. Eshtë eksperimet i veçantë se sa do ta përmbajë Berisha veten për të qenë nën hijen e Bashës. Ai do ketë tre minuta si çdo deputet tjetër”,- shtoi publicisti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat