Qëndrimi i Ramës për Akademinë e Shkencave, reagon deputeti i PD-së

Shqipëria

Qëndrimi i Ramës për Akademinë e Shkencave, reagon deputeti i PD-së

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 23:36
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar për qëndrimin që ka mbajtur kryeministri Edi Rama për zgjedhjet që u bënë ditën e sotme në Akademinë e Shkencave.

Përmes një statusi në profilin e tij në ‘Facebook, Boçi shprehet se Rama e ka lënë me vetëdije që Akademia të katandiset në këtë gjendje ku është sot.

“Fortuna” e deklaruar që Rama do shkaktonte mbi Akademinë, kur sapo ai mori pushtetin në 2013, nuk ndodhi asnjëherë.

Akademia as nuk u reformua, as nuk u pajis me Ligj të veçantë dhe as nuk u financua realisht për të realizuar Kërkim Shkencor.

Ngeli ajo “shtëpia e askujt” që ju bë dhuratë për hir të votave “nostalgjisë për të shkuarën”, nga vetë Rama, për të hyrë e dalë sipas rradhës miq të x (iks) apo y (ypsilon) brezi.

Ajo është pjesë e çorientimit me dashje që Rama i bëri për katër vite asaj pak shkence shqiptare, për të cilën nuk foli asnjëherë, nuk e mbështeti, nuk e financoi, përpos që vetëm e përçmoi e braktisi dhe e zhvlerësoi plotësisht. Rama e zvarriti Akademinë siç bëri pra me shkencën në tërësi, pavarësisht reagimeve tona si opozitë dhe zërave autoritarë si prof Fuga, që më shumë duket se është “i fundit i Mohikanëve” i rracës së shkencëtarëve që me pasion investohet për një Akademi vërtet të Shkencave.

Ajo që ka ngjarë sot me Akademinë (dhe këtu nuk kam asgjë për emrat e veçantë, por për procesin) ngjan si dy pika uji me atë që ka ndodhur në Universitete e që ka ndodhur në Arsimin parauniversitar në tërësi. Farsë zgjedhjesh sipas lojës “ne jemi dy shqiponja….” Ka po të njëjtin autor që sot bën sikur “qan” për fatin e mbrapshtë të saj, Ramën e I dhe të II.

Përpos infantil dhe shpëtues nga përgjegjësia, reagimi i Kryeministrit është banal dhe tregues i komplekseve të tij për botën akademike në tërësi. Rama sot kërkoi të bënte kalorësin, por në fakt doli që është një qerrexhi i pandreqshëm.

Gjithë gjithë në këtë histori lotësh e përbetimesh, Rama, po vdes të fitojë simpatinë e profesorit “rebel” që ja paralajmëroi e zeza mbi të bardhë të zezën e Akademisë, autor i së cilës është po ky Ramë!”, -tha Boçi.

Ditën e sotme, kryeministri tha se nuk do të jepte fonde për Akademinë, nëse nuk do të reformohej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat