Majlinda Bregu rrëfen pse nuk u bë ministre e Ramës dhe i përgjigjet deputetit të PD: Torollak

Shqipëria

Majlinda Bregu rrëfen pse nuk u bë ministre e Ramës dhe i përgjigjet deputetit të PD: Torollak

Më: 5 shtator 2017 Në ora: 08:13
Majlinda Bregu

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, ka rrëfyer për herë të parë koston që ka mbajtur për të vërtetat që tha gjatë 4 viteve në opozitë.

Gjatë fjalës së saj në ditën e parë të “Shkollës verore të integrimit”, Bregu ka sqaruar edhe rrugëtimin e saj politik dhe angazhimin me çështjet e integrimit. Bregu dha një përgjigje edhe për të gjitha lajmet që qarkulluan në media pak ditë më parë, për një përfshirje të mundshme të saj në qeverinë “Rama 2”.

Në fjalën e saj, ish-deputetja demokrate thumboi edhe deputetin e Vlorës, Agron Shehajn, i cili sipas saj, edhe pse e ka blerë mandatin e deputetit, e nisi punën si shërbëtor. Ish-kryetarja e Komisionit të Integrimit në Parlament kërkoi që puna për çeljen e negociatave të vazhdojë, pa përfshirë konfliktet politike të momentit.

MAJLINDA BREGU

Ky fillim shtatori nuk ka rutinën e shumë të parangjashmëve të tij për mua. Ndërkohë që Parlamenti po fillon sesionin e ri, unë po mbyll marrëdhëniet e mia disavjeçare me të. E di se në histori dhe në politikë asgjë nuk mbaron pa një alternativë. Nga marsi i 2007-s e deri në shtator të 2013-s m’u besua detyra e lartë dhe e vështirë e nxitjes dhe koordinimit të të gjitha përpjekjeve për afrimin e Shqipërisë me Europën.

E mora përsipër këtë detyrë, ngërthyer paska edhe nga frika se mund të dështoja. E njihja aq pak procesin, sa mjaftonte për të më tërhequr dhe tepronte për të më trembur. Investova në të, çdo ditë të kalendarit të më shumë se gjashtë vjetëve, me të gjithë forcën e pasionit, përkushtimit e përgjegjshmërisë sime.

Këtu nuk dështova. Në opozitë, pavarë- sisht mungesës së forcës së pushtetit, por me një qartësi më të madhe mbi dëmin që iu bën shqiptarëve ligësia, për të përmbysur çdo arritje të ngrehinës sonë shtet, kur ndërrohet pushteti, m’u desh të bëja një tjetër betejë. Me veten! Për të mos u llapaçitur as me besim të verbër se e mira dhe e keqja në Shqipëri ndahen sipas kaheve politikë, as me naivitetin se kjo do të kalonte pa bezdinë e përplasjeve apo orgjinë e shfrenuar të sulmeve nga ata që janë kontributorë të përhershëm në shkretimin e besimit te politika.

U mundova të kuptoja dhe pastaj të flisja se çfarë nuk shkon në këtë stilin me të cilin brezi im po bënte politikë. Nuk jemi as arkaikë, as më të pazotë se të ngjashmit tanë europianë por, gabuar qofsha, nuk jemi edukuar për të qenë të lirë e për ta respektuar lirinë. Ajo që ishte ëndrra më sublime e shqiptarëve, të jetojnë e bashkëveprojnë me njerëz të lirë, për disa u kthye në makthin më të madh.

Se ç’ndodhi në vijim e dinë të gjithë. Unë pagova çmimin e respektit ndaj vetes, pse thashë ca të vërteta të cilat fatkeqësisht mbeten të vërteta. Në këtë betejë mes vetes, me instinkte dhe pikëpamje të ndryshme nga ca të tjerë, dështova. E them këtë fare e qetë, pasi nuk kam luksin të mendoj se kur nuk e fiton një betejë, qoftë ajo edhe për të bërë më të mirë shtëpinë tënde, quhet fitore.

Por unë nuk di të këtë standard tjetër për të vënë në provë dinjitetin, përveçse të jesh vetja dhe i vërtetë. Shumë gazetarë më kanë pyetur javës që shkoi për një përfolje publike (se mos ishte e vetmja), për përfshirje timen në qeverinë e sotme, për shkrirjen e Ministrisë së Integrimit e kështu me radhë. Jam lodhur duke përgënjeshtruar lajme e sajesa, burimin e të cilave e gjen fare lehtë, mjaft të lexosh ndonjë torollak rishtar që, edhe pse ka blerë një mandat parlamentari, e nis punën si shërbëtor. Mua nuk më duhet të jem as në Parlament, as në Qeveri, për të qenë shqiptar.

Tashmë e kam detyrim të fatit dhe identitetit tim politik që kudo të jem, të përpiqem po njësoj për të afruar datën e Shqipërisë në Europë. Mbase edhe 100 herë më shumë se çdo punonjës i administratës që ka punuar qoftë edhe një ditë në këtë proces. Mbase edhe 1000 herë më shumë se ministrat aktualë.

Më takon si një nga ministret e qeverisë që ndezi dritën e kësaj rruge, zhytur në terr, derisa e çoi Shqipërinë pranë pikës më kyçe të këtij procesi: atë të marrjes së statusit të vendin kandidat, që vetëm si datë rastisi të jetë guri i parë kilometrik për qeverinë e re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat