Rama mbledh në takim dy ditorë ministrat e rinj në Velipojë, të pranishëm Ruçi e Balla

Shqipëria

Rama mbledh në takim dy ditorë ministrat e rinj në Velipojë, të pranishëm Ruçi e Balla

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 09:17
Edi Rama

Ditën e sotme kryeministri Rama do të mbledhë ministrat e rinj në Velipojë. Takimi që do të zgjasë dhe të enjten paradite, zhvillohet tre ditë para nisjes së legjislaturës së re parlamentare dhe nisjes së procedurave parlamentare për Qeverinë e re. Takimi informal dyditor do të vijojë takimin e një jave më parë, ku kryeministri u kërkoi atyre që të studiojnë dhe përcaktojnë se si do të shkrihen drejtoritë dhe pjesët e ministrive që iu bashkëngjitën atyre që u quajtën superministri.

Mësohet se mbledhja e sotme do të përcaktojë dhe kompetencat e reja të zv.ministrave, të cilët do të mbulojë sektorët përbërës të ministrive të zgjeruara. Burime nga Qeveria thanë se gjithashtu, ministrat nisur dhe nga turi i dëgjesave, kanë përfshirë në programin e çdo dikasteri prioritete e qytetarëve. Kryeministri Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, lajmëroi shkrirjen e tri ministrive, Ministrisë së Inovacionit, Ministrisë së Integrimit që do të jetë pjesë e Ministrisë së Jashtme dhe Zhvillimin Urban.

Ndërsa prezantoi bashkime ministrish. Ministrisë së Financave do t’i bashkohet Ekonomia dhe Puna, Ministrisë së Shëndetësisë i shtohet Kujdesi Social, Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë i shtohet Infrastruktura, ndërsa Ministrisë së Turizmit i shtohet dhe Mjedisi. I pranishëm në takimin e sotëm, ashtu si dhe një javë më parë të Kryeministrit me ministrat e tij, do të jetë dhe kryetari i ardhshëm i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i propozuar nga kreu i Qeverisë, por dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat