Thatësira godet rëndë bujqësinë shqiptare, këto janë humbjet

Shqipëria

Thatësira godet rëndë bujqësinë shqiptare, këto janë humbjet

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 15:16
Ilustrim

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti ka shkatërruar plotësisht 50 % të sipërfaqeve të mbjella në ara dhe drufrutorë.

Një raport i Ministrisë së Bujqësisë tregon se kulturat më të prekura nga moti me temperatura ekstremisht të larta dhe mungesë reshjesh për më shumë se 70 ditë janë misri, perimet, jonxha dhe dëme të tjera në pemëtari, vreshta, ullinj dhe agrume. Në kulturën e misrit këtë vit pritet rreth 22 % prodhim më pak se sa ishte parashikuar. Kurse në sipërfaqet e mbjella me jonxhë rezulton rreth 30 % e prodhimit e dëmtuar. Prodhime të tjera të verës të dëmtuara janë perimet dhe patatja. 

Ndërsa në drufrutorë investimi ka shkuar dëm në 20 % të sipërfaqeve të mbjella. E njëjta situatë ka prekur thuajse të gjithë ballkanin. Vendet eksportuese të misrit si Serbia, Hungaria dhe Ukraina raportojnë rënie të prodhimit me rreth 30 %. Ekspertët thonë se kjo do të reflektohet në rritjen e cmimit si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar. 

Për të përballuar situata të ngjashme lind nevoja e përmirësimit të kapaciteteve ujitëse përmes investimeve dhe mirëadministrimit. Ekspertët thonë se duhet një koordinim më i mirë i punës së pushtetit lokal me qeverinë qëndrore për pastrimin e kanalizimeve që i kanë kaluar vendorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat