Basha: Deklarata e Ramës, lojë e rrezikshme

Shqipëria

Basha: Deklarata e Ramës, lojë e rrezikshme

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 13:35
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur befasuese deklaratën e kryeministrit Edi Rama se problemi i drogës është zgjidhur, kur dihet se nuk ka të arrestuar dhe se asnjë organizatë nuk është goditur në lidhje me këtë problem.

Ai përmes një shkrimi në Facebook shkruan se deklarata e Ramës është një lojë e rrezikshme, pasi inkurajon trafikantët dhe kriminelët të vazhdojnë të merren me drogë.

Statusi i plotë

Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Evropë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka pasur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur.

Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë evropiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj.

Por nga ana tjetër promovon Gramoz Rucin të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat