Basha: Asnjë pakt dhe ndarje pushtetesh me qeverinë e re

Shqipëria

Basha: Asnjë pakt dhe ndarje pushtetesh me qeverinë e re

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 20:06
Lulzim Basha

“Nuk mund të ketë e nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjë lloj përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast”

Ishte ky mesazhi i qartë që kreu i PD-së, Lulzim Basha tha prerë përpara deputetëve të grupit parlamentar opozitar.

Në mbledhjen e parë, që u mbajt në selinë blu një ditë para seancës së parë parlamentare, Basha duket se i ka kthyer përgjigje kreut të qeverisë, i cili një ditë më parë e ftoi hapur për një marrëveshje politike qeveri-opozitë.

Ndërkohë që po sot Rama i bëri një ftesë publike opozitës gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të majtë parlamentar për të votuar së bashku në krye të Parlamentit një prej deputetëve më me eksperiencë në politikë, Gramoz Ruçin, per te cilin opozita por dhe LSI kane dale kunder. 

“Kundërshtarëve tanë u them se nëse refuzojnë të votojnë Gramozin, refuzojnë të votojnë një herë deputetin më të vjetër dhe 100 herë se refuzojnë të kuptojnë se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u duhen topat e baltës së hedhur nga politika”, deklaroi Rama.

Fjala e plote

Të nderuar anëtarë të Grupit Parlamentar.

Dua ta filloj me një mesazh të drejtpërdrejtë. Qendrimi ynë është i qartë. Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën derisa shqiptarë të na besojnë me votë drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjë lloj përfshirje të Partisë Demokratike në qeverisje, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Opozita ka një rol jashtëzakonisht të madh në çdo shoqëri demokratike. Dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë sot një domosdoshmëri e madhe për Shqipërinë. Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe me dinjitet këtë mision në interes të njerëzve dhe në interes të vendit tonë.

Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë ku do të përcaktohet nëse Shqipëria do t’i rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor apo do të zhytet plotësisht në sundimin e krimit të organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar politike të vendit.

Ne kemi 3 sfida të rëndësishme. Na takon ne, Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi të mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin dalngadalë çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne ta ndryshojmë politikën dhe t’u ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë, dhe do të reformojmë e modernizojmë Partinë Demokratike, e cila do t’i paraprijë reformimit të të gjithë sistemit politik në vend duke filluar nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike por edhe alternative morale. Ne do të jemi shembulli i ndershmërisë, i thjeshtësisë, i përgjegjshmërisë dhe i ndjeshmërisë ndaj njerëzve.

Ne do të propozojmë zgjidhjet tona politike dhe ligjore në interes të publikut. Do të informojmë dhe sqarojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit. Ne do të denoncojmë dhe protestojmë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, ne do të luftojmë kundër drogës dhe krimit. Mbi të gjitha ne do të jemi alternativa e njerëzve. Gjithmonë pranë njerëzve dhe gjithmonë me njerëzit. Shqiptarët e thjeshtë sot janë më të braktisur se kurrë nga politika dhe elita e korruptuar e vendit. Ne duhet t’i kthejmë ata jo vetëm në qendër të politikës por edhe të ngjallim shpresën dhe besimin e tyre tek politika si një instrument ndryshimi për të mirë.

Sistemi ynë politik nuk i jep opozitës asnjë pushtet real ndërkohë qeveria kontrollon të gjitha instrumentat. Madje kontrollon edhe pushtet jo politike që janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë siç janë mediat dhe një pjesë të mirë të shoqërisë civile.

Deputetëve të rinj dua t’u uroj një fillim të mbarë misionit politik në shërbim të njerëzve. Mirëse vini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do t’ju fyejnë, do t’ju sulmojnë, do t’ju vënë në dyshim por ju duhet të ruani dinjitetin dhe durimin dhe të mos ndalni së shërbyeri njerëzve dhe së luftuari për të drejtat e tyre. Puna juaj do t’u shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve. Të gjithëve, ju jeni njerëzit që keni marrë besimin për përfaqësimin me të lartë që mund të marrë një politikan në radhët e Partisë Demokratike. Jeni njerëzit me përgjegjësinë më të madhe në Partinë Demokratike. Uroj ta përmbushni me nder detyrën tuaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat