Italianët s’lejohen të largohen nga Shqipëria, qëndruan 6 muaj në hotel, por...

Shqipëria

Italianët s’lejohen të largohen nga Shqipëria, qëndruan 6 muaj në hotel, por...

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 08:45
Ilustrim

Dy shtetas italianë po ndiqen penalisht nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”, pasi kanë qëndruar si të akomoduar pranë një hoteli, duke mos paguar asnjë lek për një periudhë 6 mujore.

Onofrio Milana dhe Andrea Rolland, momentalisht ndodhen në Shqipëri dhe vijojnë të qëndrojnë në hotel, për shkak se policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë vendosur ti sekuestrojnë pasaportat e tyre, pasi kishte dyshime të arsyeshme se dy italianët do të largoheshin jashtë territorit Shqiptar, pa paguar tek pronari i hotelit, një shumë që është përllogaritur rreth 10 mijë euro.

Dy italianët kanë mbërritur në Tiranë 6 muaj më parë, ku njëri prej tyre ka qënë edhe një herë tjetër në këtë hotel. Sipas policisë dhe prokurorisë italianët mendohet se mereshin me një projekt me ministrinë e Ekonomisë, por pa qartësuar se për çfarë projekti bëhet fjalë.

Që prej fillimit të muajit Shtator 2017 çështja është duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës, pasi pronari i hotelit që ndodhet në qëndër të kryeqytetit, ka kallëzuar dy shtetasit italianë se e kanë mashtruar. Shtetasi me inicialet E.G, në kallëzimin e tij i ka thënë policisë se dy italianët Onofrio Milana dhe Andrea Rolland janë akomoduar normalisht në hotel dhe se kanë qëndruar për një periudhë 6 mijore pa paguar asnjë lekë.

Sot e kësaj dite italianët vijojnë të qëndrojnë në hotel, ku pas kallëzimit të bërë ata kanë filluar të paguajnë pronarin e hotelit me kartat elektronike POS. Ndërkohë që për periudhën 6 mujore që ata kanë qëndruar në hotel nuk kanë bërë asnjë pagesë. Sipas burimeve të prokurorisë dhe policisë së Tiranës, dy italianët kanë tentuar të ikin nga hoteli dhe të largohen nga Shqipëria, duke mos paguar për ditët e qëndrimit të akomoduar.

Mirëpo pasaportat e tyre kanë qenë në recepsionin e hotelit, dhe teksa kanë kërkuar dokumentat ata nuk janë shprehur të gatshëm për të paguar. Sipas burimeve njëri nga italianët dyshohet se është dënuar në itali për akuzën e mashtrimit. Aktualisht çështja është duke u hetuar nga prokuroria dhe se pritet që në ditët në vijim dy shtetasit italianë të meren në pyetje lidhur me këtë mosmarrëveshje.

Nga të dhënat policore dyshohet se dy personat e proceduar mendohet se kanë bërë këtë veprim edhe me subjekte të tjera private që ushtrojnë aktivitet tregtar në fushën e hotelerisë në Tiranë. Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria po verifikojnë dhe disa denoncime të ngjashme të pronarëve të hoteleve, të cilët kanë denoncuar klientët e tyre të huaj për mashtrim.

Në shumë raste shpesh herë të huajt janë kthyer në mankthin e pronarëve të hoteleve pasi janë akomoduar për disa ditë, ata janë larguar duke mos bërë asnjë pagesë. Këto raste i kanë detyruar pronarët e hoteleve që t’i mbajnë si garanci pasaportat në recepsion, por edhe kjo masë nuk ka qënë shumë efiçente.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat