Kuvendi i Shqipërisë nis punën

Shqipëria

Kuvendi i Shqipërisë nis punën

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 09:30
Kuvendi i Shqipërisë

(E plotësuar) - Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit u mblodh sot në seancën e parë të legjislaturës së IX parlamentare.

Seanca e parë e Kuvendit u mblodh në orën 10:00 dhe u drejtua nga deputeti socialist, Besnik Bare. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Bare mbajti një fjalë përshëndetëse ku uroi që Parlamenti të kthehet në vlerë reale komunikimi të politikës. “Për fat të keq politika konfliktuale e klasës politike është reflektuar edhe në popull”, tha Bare, ndërsa vlerësoi mesazhet e fuqishme që janë dhënë në këtë sallë nga personalitetet ndërkombëtare gjatë legjislaturave të kaluara.

Në vijim, Bare lexoi edhe listën emërore të deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Gjatë kësaj seance u ngrit Komisioni i Verifikimit të Mandateve si dhe sekretariati që përbëhet nga tre deputetët më të rinj, Anduel Xhindi, Izmira Ulqinaku dhe Kejdi Mehmetaj.

Kuvendi do të mblidhet në një seancë të dytë pasdite (18:00), ku deputetët do të bëjnë betimin dhe do të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, ish-kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ruçi ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të PS-së, ndërsa PD dhe LSI kanë paralajmëruar votën kundër. Vendimi është marrë nga grupet parlamentare respektive një ditë më parë.

Zgjedhjet politike të 25 qershorit në Shqipëri nxorën 140 deputetë, të cilët u zgjodhën me sistemin proporcional rajonal. Në zgjedhjet e 25 qershorit PS mori 74 mandate, PD mori 43 mandate, LSI mori 19 mandate, PDIU mori 3 mandate dhe PSD mori 1 mandat.

Caktimi i numrit të mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore në të 12 qarqet e vendit, është si më poshtë:

Qarku Berat 7 mandate

2. Qarku Dibër 6 mandate

3. Qarku Durrës 14 mandate

4. Qarku Elbasan 14 mandate

5. Qarku Fier 16 mandate

6. Qarku Gjirokastër 5 mandate

7. Qarku Korçë 11 mandate

8. Qarku Kukës 3 mandate

9. Qarku Lezhë 7 mandate

10. Qarku Shkodër 11 mandate

11. Qarku Tiranë 34 mandate

12. Qarku Vlorë 12 mandate

***

Paraditen e së shtunës nisi seanca e parë e legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë, që u drejtua nga deputeti socialist Besnik Bare.

Në këtë seancë u lexuan 140 emrat e deputetëve të Kuvendit, ndërsa në seancën e pasdites, në orën 18:00 do të bëhet verifikimi i mandateve të tyre dhe pritet të zgjidhet kreu i ri i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Nis Kuvendi i Shqipërisë, Besnik Bare hap seancën

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot punimet nën drejtimin e deputetit socialist Besnik Bare.

Bare mbajti një fjalë hyrëse dhe ftoi deputetët më të rinj, që sipas rregullores, të kryejnë detyrën e sekretariatit.

Por, cilat janë tiparet kryesore të përbërjes së këtij parlamenti? Nga 140 deputetë të parlamentit të ri (2017 - 2021) 61 deputetë ose 44% nuk kanë qenë parlamentarë gjatë legjislaturës së kaluar. Ndryshimin më radikal në përbërjen e re parlamentare e ka PD me 54% (23 deputetë) të rinj, ndaj vetëm 46% (20 deputetëve) të rizgjedhur, ku në pjesën e rizgjedhur bëjnë pjesë edhe katër kryetarët e partive aleate, PR, PDK, PBDNJ, LZHK. PS ka ndryshuar rreth 40% të grupit parlamentar nga legjislatura e kaluar.

Sot seanca e parë e Kuvendit PD-LSI: Votojmë kundër Ruçit

Sot në orën 10:00 mbahet seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, që shënon edhe nisjen e rrugëtimit 4-vjeçar të legjistaturës së re parlamentare.

Kuvendi pritet të mbajë dy seanca, paradite në orën 10:00 dhe pasdite në 18:00. Seanca e parë do shërbejë për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj, proces i cili pritet të bëhet nga një komision i ngritur nga Kuvendi.

Ndërsa pasdite, deputetët do bëjnë betimin dhe do zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit ish-kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. 

Ruçi ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të PS, ndërsa PD dhe LSI, si opozitat e Kuvendit të ri, kanë paralajmëruar votën kundër. Vendimi është marrë nga grupet parlamentare respektive një ditë më parë.

Nga ana tjetër, Edi Rama ka qenë i prerë në porositë që ka dhënë për ligjvënësit socialistë kur u ka kërkuar të mos mungojnë seancën e kësaj të shtune dhe të mbështesin Gramoz Ruçin i cili është sulmuar jo pak nga segmente të PD dhe ish të përndjekurve politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat