Gjosha: Ja risia më e madhe e këtij Kuvendi

Shqipëria

Gjosha: Ja risia më e madhe e këtij Kuvendi

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 12:38
Klajda Gjosha

Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, komentoi seancën e parë të legjislaturës së IX, që nisi sot punimet.

E ftuar në studion e Report Tv, ministrja e Integrimit në detyrë, “zbuloi” dhe risinë më të madhe të këtij sesioni të ri parlamentar.

Ajo tha se për herë të parë kemi tre kryetarët e partive politike kryesore në Kuvend, përkatësisht Edi Rama i PS, Lulzim Basha i PD dhe Monika Kryemadhi e LSI.

Deputetja e LSI cilësoi si pozitive për cilësinë e Kuvendit edhe numrin e madh të deputetëve të rinj. Gjosha tha se kjo sjell një risi, pasi sipas saj të rinjtë janë aktivë dhe me një frymë më pozitive. 

“Është diçka e mirë që ka deputetë të rinj, kjo sjell një risi. Shpresoj që ata të jenë aktivë. Rinia sjell një risi, një frymë më pozitive. Shpresoj të mos ketë debate shumë të ashpra. Ajo që do doja të shikoja është që qytetarët të njihen me rendin e ditës”, tha Gjosha.

Zgjedhja e Ruçit në krye të parlamentit, Gjosha: Do jemi në seancë, vota jonë kundër

Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të LSI, Klajda Gjosha, ka deklaruar se deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë të pranishëm në seancën e orës 18:00 të Kuvendit të Shqipërisë, ku do të votohet për kreun e Kuvendit, por vota e tyre do të jetë kundër Gramoz Ruçit, kandidatit të propozuar nga kryeministri Rama.

Gjosha ka folur për seancën e parë të legjislaturës së 9- të të Parlamentit Shqiptar, për të cilën është shprehur se ishte një seancë miqësore, ku përveç apelit të deputetëve të cilët ishin zgjedhur,  shërbeu edhe si një mundësi për tu takuar me kolegët e vjetër dhe ata të rinj.

Marrëdhënia me PS, Gjosha: Do bashkëpunojmë për integrimin

E pyetur për sa i përket qëndrimit që forca politike që ajo përfaqëson në raport me qeverinë në sallën e Kuvendit, Gjosha është shprehur se LSI do të bashkëpunojë dhe do të mbështes çdo iniciativë e cila e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian.

“Ne jemi shprehur qartë. Do të kemi qëndrim mbështetës për integrimin evropian. Do të jemi aty për të mbështetur çdo reformë, iniciativë ligjore e cila e afron Shqipërinë me BE”, tha Gjosha e cila shtoi se LSI dëshiron ta shikojë fokusin e kësaj qeverie në ekonominë, si dhe ka theksuar se LSI do të bëjë një opozitë frontale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat