Përplasja Rama-Xhafaj/ Prapaskenat që çuan në rrëzimin e Haki Çakos - Bota Sot
Përplasja Rama-Xhafaj/ Prapaskenat që çuan në rrëzimin e Haki Çakos

Shqipëria

Përplasja Rama-Xhafaj/ Prapaskenat që çuan në rrëzimin e Haki Çakos

Më: 9 janar 2018 Në ora: 17:18
Rama-Xhafaj-Çako

Për sa kohë Haki Çako qëndroi në detyrë, për Fatmir Xhafajn ishte e qartë se në polici do të endej hija e Saimir Tahirit dhe shpurës së tij, të implikuar në trafik droge. Llogjika e donte që kryepolici të ishte larguar bashkë me Tahirin, i njollosur njësoj si ish vartësit e tij, por mbështetja e padiskutuar e Edi Ramës, i dha forcë të rezistojë përtej kanabisit, përtej Tahirit, përtej IMSI Catcher dhe shumë dështimeve të tjera që vunë në vështirësi rendin dhe sigurinë. “Dobësia” e Ramës për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë ishte e njohur botërisht. Rama e nuk e preku policin e tij të besuar as në marrëveshjen e 18 Majit. “Kërko kë drejtor të duash, por Haki Çako nuk preket”, mësohet se i tha Lulzim Bashës natën e 18 majit. Ikën drejtorë që nuk kishin asnjë lidhje me zgjedhjet si ai OSHEE apo ALUIZNI, por kreu i policisë qëndroi. Fatmir Xhafaj nuk e mori me nxitim. Iu deshën 4 muaj që t’ia arrinte qëllimit. Duke ditur lidhjen direkte mes Çakos dhe Ramës, nuk e shfaqi menjëherë përçmimin për Çakon, por priti kohën e duhur. Për ta fshehur ambicien e tij, në qershor të vitit të kaluar, Xhafaj doli në konferencë dhe e mbrojti Çakon nga sulmet e LSI-së. Kur Meta e quante shkurt Haki Droga, Xhafaj i doli në mbrojtje me deklaratën se “policia nuk ka forcë të të nxjerrë forcë e parë”, duke i dhënë mesazhin Çakos se ishte gati të bashkëpunonte me të, nëse fitonin zgjedhjet bashkë.

Kthesa erdhi gradualisht. Xhafaj priti sa u emërua ministër dhe daljet e para publike i pati me Haki Çakon përkrah. Por ky ishte vetëm fillimi. Situata ndryshoi shpejt. Komunikimi mes të dyve kaloi shpejt vetëm përmes shkresave. Dhe më të shumtat ishin për shkarkimin e drejtuesve të policisë, vartës të Drejtorit të Përgjithshëm. Xhafaj e shmangu komunikimin direkt dhe marrëdhëniet mes të dyve u ftohën për t’u ndërprerë plotësisht muajt e fundit të 2017. Me “shpatullat e ngrohta” nga Edi Rama, Çako besoi se do t’i rezistonte presionit. Lapsi.al raportoi në vazhdim gjatë muajve të kaluar për tensionet mes Fatmir Xhafajt dhe Haki Çakos. Ministri pati vetëm shpërfillje, deri në kufijtë e përçmimit. Xhafaj rinisi shkarkimet e drejtorëve të policisë në rrethe dhe foli foli publikisht për vetingun në polici. Një proces pastrimi nga i cili Haki Çako nuk mund të dilte veçse i njollosur.

Ndarja ra në sy gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm italian. Kur Marko Miniti rrethohej nga stafi i bashkëpuntorëve të tij me uniformë, Xhafaj e priti i vetëm. Haki Çako ishte non grata në takimin, ku u fol për Habilajt dhe lidhjet e tyre në Shqipëri. Mosbesimi ndaj Haki Çakos ishte i justifikuar. Një listë me 128 policë të implikuar në kanabis, sipas raportimit të SHISH u zbulua në media. Shefi i tyre Haki Çako nuk kishte marrë asnjë masë për ndëshkimin e tyre, megjithëse kishte pasur informacion bashkë me Ramën dhe Tahirin. Si të mos mjaftonin rekordet e gomoneve me drogë drejt Italisë për dy vitet e fundit, prokuroria kërkoi arrestimin e policëve në nivelet më të larta. Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila nuk u arrestuan dot duke shenjuar dështimin në një nga aksionet më të rëndësishëm të vitit të kaluar. Moment tjetër që rëndoi mbi Haki Çakon ishin ngjarjet në Elbasan. Policia u sulmua nga bandat e qytetit dhe nuk pati fuqi të reagonte. Ngjarja tregoi edhe njëherë degradimin e uniformave blu në 4 vitet e shkuara. Fatmir Xhafajt iu desh të shkojë vetë për t’i dhënë zemër policëve, sepse atentatet vazhduan edhe pas vizitës së Haki Çakos.

“Forca e ligjit” një aksion i paralajmëruar me bujë u sfumua shumë shpejt. Munguan arrestimet e kokave të krimit, siç u paralajmëruar, ndërsa Lapsi.al mësoi se shumë agjentë të policisë refuzuan të bëhen pjesë e Task Force për shkak të mosbesimit në kupolën drejtuese. Në këto kushte, pas dështimesh të njëpasnjëshme dhe kur kushtet ishin në favor të tij, Xhafaj komunikoi direkt me Edi Ramën për shkarkimin e Çakos. Lapsi.al mësoi se kur e refuzoi, Rama iu drejtua Fatmir Xhafajt me fjalët “Ik vetë, se ai nuk ikën nga policia”. Ikja e Haki Çakos nga drejtimi i policisë do të ishte largimi i njeriut të besuar të Ramës në polici, që kishte dhënë prova se ishte gati të bindej, përtej kufijve që i impononte uniforma e policisë. Provë e shërbimit pa kushte të Çakos ndaj dyshes Rama-Tahiri nuk ishte vetëm çështja e kanabisit. IMSI Catcher, pajisja përgjuese e Interforcës italiane u fut në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe u përdor për përgjime që ende sot nuk dihet pse. Pajisja u kontrollua atëherë nga agjentë të policisë me urdhër të Haki Çakos, që i shpëtoi arrestimit, vetëm falë sulmit të paprecedent ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nga Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Mbetet mister se çfarë apo kush e bindi Edi Ramën të firmosë largimin e Haki Çakos nga drejtimi i policisë. Ajo që bëhet më e qartë, është pushteti që ka arritur të akumulojë në këtë moment Fatmir Xhafaj. Me lidhjet e forta në prokurori dhe gjyqësor dhe me zëvëndësimin e Haki Çakos në polici, Xhafaj sot është në kulmin e karrierës, dhe sapo ka fituar një betejë të fortë brenda qeverisë, duke nxjerrë të humbur vetë Edi Ramën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera