Kur Kryepeshkopi Anastas refuzojë të mbaj një meshë nderimi për viktimat të Genocidit në Çamëri

Shqipëria

Kur Kryepeshkopi Anastas refuzojë të mbaj një meshë nderimi për viktimat të Genocidit në Çamëri

Më: 12 janar 2018 Në ora: 10:59
Shpëtim Idrizi

Në Qershor të vitit 2006, Shpëtim Idrizi, kryetar i sotëm i PDIU që në atë periudhë ishte deputet i PS dhe mbajti një fjalim përpara Kuvenadit të Shqipërisë me rastin e përkujtimit të viktimave shqiptare të Gjenocidit të kryer nga ushtarët grekë të EDES të drejtuar nga gjeneral Zerva në vitin 1944. Në fjalën e tij deputeti i atëhershëm z.Idrizi ju drejtua zyrtarisht me letra drejtuesve të lartë të besimeve fetare në Shqipëri, Klerit Mysliman, Ortodoks dhe Katolik për një lutje shpirtërore për viktimat e Gjenocidit të ndodhur në Çamëri. Kësaj thirrje për një Meshë përkujtimore ju përgjigjën zyrtarisht Kleri mysliman dhe ai katolik, ndërsa kryepeshkopi Anastas i KOASH nuk e mori mundimin as të shkruaj një përgjigje qoftë edhe negative, por e kalojë në heshtje këtë lutje të deputetit Idrizi. Ajo që është ironike me Kryepeshkop Anastasin është se ai urdhëron sa herë që e lyp nevoja priftërinjtë shqiptar ortodoksë të KOASH për të mbajtur meshë për karafillakët grek që kanë kryer masakra në Shqipëri më 1914 dhe 1940.

Sot për lexuesit po sjellim ekskluzive fjalimin e plotë të mbajtur para 12 viteve nga deputeti Shpëtim Idrizi, qershor 2006, në Kuvendin e Shqipërisë.(E.SH)

FJALA E PLOTË E DEPUTETIT SHPËTIM IDRIZI

Të nderuar kolegë!

Jam sot këtu përpara jush, për t’ju sjelle në kujtesë datën 27 Qershorit, si një datë mjaft të rëndësishme për komunitetin çam. Kjo ditë është e njohur zyrtarisht nga ky Parlament, si Dita e Genocidit ndaj popullsisë Çame.

Në respekt të kësaj dite dhe të gjithë atyre që u vranë e u masakruan padrejtësisht, Komuniteti Çam organizon ditën e shtunë një Pelegrinazh tashmë të bërë traditë drejt Qaf Botës, portës nga ku hynë çamët në Shqipëri. Gjithashtu në kujtim të viktimave të pafajshme do te bëhen homazhe në varrezën masive në Kllogjer. Do të ftoja të gjithë kolegët deputetë dhe shqiptarët ti bashkohen këtij pelegrinazhi përkujtimore në respekt të 4250 viktimave të pafajshme.

Komuniteti Çam, për nderimin e viktimave, i është drejtuar komuniteteve myslimane, katolike dhe atij ortodoks, me kërkesën që të organizohet një ceremoni fetare e përbashkët përkujtimore, në përshpirtje të tyre.

Deri më sot, kësaj kërkesë i janë përgjigjur pozitivisht vetëm Komuniteti Mysliman dhe ai Katolik. Në emër të Komunitetit Çam dua të falënderojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të këtyre dy Komuniteteve Fetare për mirëkuptimin dhe mbështetjen që i dhanë kësaj nisme.

Kjo është arsyeja, pse po dal sot në këtë foltore të nderuar, për t’ju drejtuar me një thirrje dhe një letër të hapur drejtuesit të komunitetit Ortodoks, Hirësisë së tij z.Janullatos, letër e cila do të jetë e botuar dhe në media.    

Hirësisë së tij, Kryepeshkopit Janullatos

Tiranë

I nderuar Hirësi,

Po ju drejtohem ju me këtë letër të hapur, jo vetëm si një deputet i Parlamentit të Shqipërisë, jo vetem si përfaqësues i një force të rëndësishme politike në vend, por dhe si anëtar i një Komuniteti, që prej pothuajse 63 vjetësh, po vuan një nga kalvaret më të tmerrshme që njerëzimi ka njohur gjatë historisë së tij, atë të mohimit forcërisht të vendlindjes së tyre.

Po ju drejtohem ju, me bindjen, se si njeri i zotit dhe si njohës i mirë i raporteve shqiptaro – greke, ju do të bëni ç‘është e mundur që një padrejtësi e vjetër të shndërrohet në një urë të mundshme bashkëpunimi, integrimi dhe pse jo miqësie mes dy vendeve tona.

I nderuar Hirësi,

Unë i takoj një familje, që plot 63 vjet më parë, si në skenat biblike, është detyruar të ecë ditë e natë në këmbë, për thuajse një javë, nga vendlindja e saj, Margelliç të Çamërisë, shtëpia ku kishin lindur të parët e mi e ku jetonim prej shekujsh, drejt kufirit shqiptar.

Për shumë vite më radhë, madje po aq fort ende sot, ai rrugëtim i trishtuar, në mes të shekullit të XX – të, ka shënjuar jetën e gjithë pjesëtarëve të familjes sime. Ajo nuk ishte një ecje e vetmuar e një familjeje, ajo ishte ecja e mbi 28 mijë çamëve, në një kolonë kilometrash të gjatë. Ata iknin me trishtim, dhimbje e dhunë drejt Shqipërisë, duke lënë pas trojet e tyre të djegura, shtëpitë e shkatërruara, të afërmit e vrarë dhe varret e të parëve të dhunuara nga bandat e Napoleon Zervës, e të tjerëve.

I nderuar Hirësi,

Në atë rrugëtim ecte edhe im atë, fëmijë një vjeçar, që nuk kuptonte dhe nuk e dinte se ajo javë do të ishte momenti që do të shndërronte jetën e një komuniteti të tërë, do t’i linte ata pa atdhe, pa simbolet e së shkuarës dhe peng të një politike kriminale të spastrimit etnik.

I nderuar Hirësi,

Për ta kuptuar më mirë tragjedinë, po ju përmend disa shifra, që janë zyrtarizuar në Kongresin Çam, të vitit 1945, që njihen dhe sot si shifra zyrtare.

Më 27 qershor 1944, në Paramithi, bandat e Gjeneral Zervës, vranë 800 burra dhe 230 gra.

Në Pargë, po atë ditë, vranë e masakruan 130 vetë, burra e gra.

Më gusht 1944, në Filat, po këto banda vranë 196 burra dhe 61 gra.

Në Mars 1945 po në Filat, u vranë 142 burra dhe 154 gra.

Në total, vetëm gjatë 8 muajve u vranë pa asnjë shkak, në shtëpitë e tyre, 1.270 burra dhe 350 gra, ose 1.620 vetë gjithsej.

Po ju kujtoj edhe diçka tjetër. Në rrugëtimin e gjatë, në kolonën e së cilit ecte edhe im gjysh e im atë 1 vjeçar, kanë vdekur nga lodhja, etja dhe uria, plot 2.400 vetë dhe kanë humbur 230 të tjerë.

Në fund, në bilancin e atyre 9 muajve, në Çamëri qenë vrarë, kishin vdekur nga dhuna ose qenë zhdukur, plot 4250 vetë.

Nuk dua t’i hyj bilancit ekonomik të kësaj masakre, sepse përpara jetëve të njerëzve dhe mbetjes pa atdhe, ai ka pak rëndësi. Por, po ju kujtoj se në atë kohë, janë shkatërruar plot 5800 shtëpi me gjithë pasuritë që ato kishin. Sipas të dhënave të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, pasuria e çamëve në Greqi në atë kohë, kapte shifrën 300 milion dollarë amerikanë, ose e përkthyer në shifrat e sotme, plot 2.3 miliard dollarë.

 Po ju kujtoj hirësi, se pasuria jonë atje, përfshi edhe atë të familjes sime, e bllokuar padrejtësisht dhe forcërisht nga shteti grek, është sot, më e madhe se gjithë ndihma ekonomike që Shqipëria ka marrë nga bota që nga viti 1990 e deri sot!

I nderuar Hirësi,

J’ua rendita gjithë këto fakte, për të kuptuar edhe ju përmasat e kësaj drame, përmasat e dramës së atyre njerëzve si im gjysh, që u larguan dhe nuk u kthyen më kurrë në atdheun e tyre. Jua përmenda, për të kuptuar edhe ju, se ajo që unë kërkoj nga ju si njeri i zotit është fare e vogël përballë kësaj tragjedie.

Unë nuk po ju kërkoj ndërmjetësimin me shtetin grek, as të drejtat e popullsisë çame, sepse Ne jemi të bindur ta bëjmë këtë, sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare, duke ju drejtuar te gjithë instancave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por, ajo që ju kërkoj unë është fare e thjeshtë. Është një kërkesë e përsëritur, që jua kanë bërë Ju, Arqipeshkvit Katolik Rrok Mirdita dhe Myftiut të Shqipërisë, anëtarët e shoqatës sonë e që ata e pranuan me kënaqësi.

 Ajo që ata dhe Unë kërkojmë dhe që s’kemi marrë ende një përgjigje prej jush, është fare e thjeshtë dhe njerëzore në thelb. Midis atyre 4.250 të vdekurve, ka pasur shumë çam ortodoksë. Ata ishin pjesëtarë të një komuniteti, që nuk po përzihej nga trojet e tij për hir të fesë, por për hir të etnisë së tyre. Por duke qenë se përpara Zotit, ortodoksë, myslimanë apo katolikë jemi njësoj dhe me që bëhet fjalë për jetë njerëzore,

Ju lutem Hirësi, në 27 Qershor (2006), në ditën e Genocidit të madh ndaj çamëve, ose thjeshtë në ditën e tragjedisë së tyre, të mbani një meshë përshpirtje për ta. Ju lutem Hirësi, mbani një meshë përkujtimore, bëjini thirrje Zotit, që ashtu siç dhe unë shpresoj, të tregohet me ta në atë botë, shumë më dashamirës se sa u treguam ne në këtë jetë.

I nderuar Hirësi,

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, uroj që heshtja të mos pasojë këtë letër publike, dhe që ju, si autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse Shqiptare, të merrni parasysh kërkesën time. Kjo është kërkesa e një anëtari të komunitetit çam, që përkujtimin e të parëve të tij, shpreson ta gjejë edhe tek një meshë përshpirtjeje e juaja.

Ju lutem Hirësi, pranoni komplimentet e mia më të mira

Me respekt

Shpëtim Idrizi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat