Vendimi/ Shërbimet elektronike, ja tarifat që do të paguhen...

Shqipëria

Vendimi/ Shërbimet elektronike, ja tarifat që do të paguhen...

Më: 13 janar 2018 Në ora: 10:41
Qeveria shqiptare

Qeveria ka miratuar sot tarifat për shërbimet elektronike të Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Sipas vendimit, shërbimet elektronike në favor të organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.

Tarifat, që aplikohen për shërbimet elektronike ndaj organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private, janë:

a) Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin   elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse;

b) Tarifa për përdorimin e modulit të administratës publike në portalin e-Albania, sipas shkronjës “e”, të pikës 6, të kreut II, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.

Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse, mbulon kostot e shpenzimet për të gjitha shërbimet e kryera nga Agjencia, që nga momenti i paraqitjes së aplikimit, deri në momentin e marrjes së pajisjes me nënshkrim elektronik nga aplikanti.

Këto shërbime përfshijnë:

a) shkëmbimet e informacionit;

b) komunikimet postare;

c) kopjet e akteve shkresore dhe/ose elektronike;

ç) shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga aplikanti;

d) analizën paraprake;

dh) vlerësimin teknik të pajisjes;

e) gjenerimin e nënshkrimit elektronik;

ë) revokimin e certifikatës;

f) mirëmbajtjen e sistemit;

g) asistencën teknike, në rast problematikash, konfigurimesh apo humbjeje të pajisjes kriptografike (e-Token).

Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse për organet dhe institucionet e administratës publike, do të ofrohet me tarifë 0 (zero) lekë.

Për subjektet private do të ofrohet me tarifë fikse prej:

 - 6 400 (gjashtë mijë e katërqind) lekësh, përfshirë TVSH-në për pajisje me usb Token;

- 7 300 (shtatë mijë e treqind) lekësh, përfshirë TVSH-në për asistencë teknike 12-mujore.

Pagesa e kësaj tarife kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.

Të ardhurat e realizuara derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat