Nuk ka transparence për rastin e Gashit

Shqipëria

Nuk ka transparence për rastin e Gashit

Më: 14 janar 2018 Në ora: 10:10
Ish-Kryeprokurori, Theodhori Sollaku,

Ish-Kryeprokurori, Theodhori Sollaku, beson se ndryshimet ligjore që janë bërë në ligjin për Prokurorinë kanë zbehur rolin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke bërë prokurorët, zot të çështjeve.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Sollaku foli për zgjedhjen dhe lëvizjet e fundit të Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Sipas ish-Kryeprokurorit, tashmë Prokurori i Përgjithshëm nevojitet të jetë më shumë një menaxhues i mirë administrativ për shkak të rrudhjes së kompetencave. “Prokuroria nuk është më organ i centralizuar. Prokuroria nuk është më një institucion unik, por e copëzuar. Ne sot kemi krijuar në Kushtetutë dhe në ligj Prokurorinë e Posaçme, SPAK-un. Kjo strukturë nuk ka asnjë lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme. Ka një mënyrë tjetër organizimi.

Por Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, apo edhe ai që do të vijë me mandat 7-vjeçar nuk ka kompetencë të merret me procedimet penale që kanë të bëjnë me krimet më të ndjeshme në vend, siç janë korrupsioni i zyrtarëve të lartë, deputetëve, ministrave. Gjithashtu, nuk ka kompetencë të merret më çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar apo krimet e rënda. Do të jetë një përfaqësues, një menaxhues i prokurorëve, që merren me çështje ordinere. Vetëm ka kompetencë që të përfaqësojë çështje në Gjykatë të Lartë”, tha Sollaku.

Ish-Kryeprokurori komentoi edhe lëvizjet e fundit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. “Prokuroria nuk është më tani një organ i centralizuar. Zot i çështjes është prokurori i çështjes, i cili kontrollohet vetëm nga Gjykata. Nuk është hata, ajo që ka ndodhur. Lëvizjet e fundit kanë prekur dy lloj prokurorësh. Prokurorë, që kanë qenë të emëruar me dekret të Presidentit dhe një tjetër kategori prokurorësh, që fillimisht kanë qenë të komanduar, por që me ndryshimet ligjore kanë qenë të emëruar përkohësisht. Këtu ka një problem që lidhet me transparencën.

Prokurori i Përkohshëm është i përkohshëm, mund të jetë 2-3 muaj. Duhet të bëhet transparencë pse ikën “X”-i dhe vjen “Y”-i. Kjo në rastin konkret mendoj që ka munguar, megjithëse nga ana ligjore mendoj që është e saktë. Për sa i përket dy personave të tjerë, më konkretisht, zonja Gashi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjana në Prokurorinë e Durrësit për mua këtë herë është në kapërcim të ligjit. Sepse të dy këta prokurorë kanë qenë të emëruar dhe, si të tillë, nuk kanë asnjë të drejtë për aq kohë sa nuk është ngritur KLP-ja, ka pasur një nxitim për vendimin e marrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat