“Ma vrau në sytë e mi. Ma vrau ai plehra”. Këto janë fjalët nga motra e të ndjerës Ariela Murati - Bota Sot
“Ma vrau në sytë e mi. Ma vrau ai plehra”. Këto janë fjalët nga motra e të ndjerës Ariela Murati

Shqipëria

“Ma vrau në sytë e mi. Ma vrau ai plehra”. Këto janë fjalët nga motra e të ndjerës Ariela Murati

Më: 22 janar 2018 Në ora: 19:41
Aldison Belulaj dhe Ariela Murati

“Ma vrau në sytë e mi. Ma vrau ai plehra”.

Këto janë fjalët që motra e të ndjerës Ariela Murati ka thënë në polici pas ngjarjes tragjike që ndodhi dje në Tiranë, pranë Fakultetit të Mjekësisë. Ajo ishte krah motrës së saj, kur Aldison Belulaj erdhi pranë tyre, u kacafyt me Arielën dhe qëlloi me një plumb ndaj saj duke e lënë të vdekur. Më tej 23-vjecari qëlloi me armë në kokë edhe veten ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, në koma.

Gazetari Spartak Koka ka treguar në emisionin “Rudina” edhe një pjesë të dëshmisë që kishte dhënë në polici motra e viktimës Ariela Murati.

“Ma vrau ai plehra, ma vrau në sytë e mi. Ne nuk e dinim që ai kishte ardhur në Tiranë dhe s’na thanë as ata të shtëpisë. Ai e kishte kërcënuar që ti nuk merr njeri tjetër përveç meje, e kapi menjëherë dhe e qëlloi. Nuk kishim bërë ndonjëherë ankesë në polici”, kështu është shprehur në polici motra e Arielës.

Nën lot dhe në gjendje të ngarkuar emocionale, motra e Arielës përsëriste vazhdimisht para oficerëve të policisë gjyqësore: “Ma vrau motrën para syve”.

Sipas gazetarit Koka, studentja 21-vjecare e Juridikut kishte marrë kërcënime të herë pas hershme dhe zakonisht ruheshin, por kësaj radhe u kapën të papërgatitura nga Aldisoni.

“Ata ishin të papërgatitura pasi zakonisht ruheshin. Për kërcënimet ishte vënë në dijeni edhe familja e vajzës dhe e djalit. Fakti që kërcënimi nuk ishte marrë seriozisht çoi në këtë ngjarje”, tha Koka.

Sa i përket dinamikës së vrasjes, një dëshmitar që pa të gjithë skenën e krimit tentoi të ndihmonte vajzën, por nuk mundi pasi ngjarja ndodhi në një kohë të shkurtër.

“Ka qenë ora rreth 14:48 minuta kur ka ndodhur ngjarja dhe në 14:52 kanë njoftuar policinë qytetarët. Ariela së bashku me motrën e saj Boretën dhe kushërirën kanë qenë duke kaluar në trotuar tek Universiteti i Mjekësisë, mesa duket Aldisoni i ka ndjekur, e ka ndaluar Arielën dhe më pas e ka qëlluar. Kjo ka qenë skena e zhvilluar në pak çaste, ku askush s’ka mundur të ndërhynte. Një shoku i kolegut tonë e kishte parë skenën kur e ka ndaluar dhe ka tentuar të zbresë nga makina për ta ndihmuar, por gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ariela, sipas dëshmitarëve, ka humbur jetën në moment pavarësisht ndihmës së shpejtë që i është dhënë, ndërsa Aldisoni ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën”, u shpreh gazetari Koka.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera