“100 fshatrat”, turizëm i qëndrueshëm rural në Fier

Shqipëria

“100 fshatrat”, turizëm i qëndrueshëm rural në Fier

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 15:07
Fier

Turizëm të qëndrueshëm rural por edhe impakt të drejtpërdrejtë ekonomik pritet të sjellë zbatimi i programit “100 fshatrat” në bashkinë e Fierit.

Pojani, Libofsha dhe Cakrani janë tre fshatrat e përzgjedhur në kuadër të projektit “100 fshatrat” për bashkinë e Fierit.

Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i kësaj bashkie, Armando Subashi ndalet te përfitimet që do të sjellë programi “100 fshatrat” për këto zona.

“Programit të 100 fshatrave, deri në përmbushje të qëllimit final i duhet të kalojë në shumë etapa të tjera shumë të rëndësishme. Etapa që nisin që nga analiza e situatës, studimi i mirëfilltë i zonave përkatëse në mënyrë shumë të detajuar, mbi të cilat do të bazohen projektet dhe ecuria e zhvillimit të infrastrukturës, bujqësisë, kulturës, turizmit, që së bashku do të sjellin zhvillimin ekonomik për banorët që jetojnë aty”, tha Subashi.

Për këtë arsye është konceptuar dhe si një rilindje për zonat rurale përmes zhvillimit të agroturizmit dhe projekteve të tjera inovatore.

Subashi shprehet se po punohet për hartimin e projekteve të plota që kanë në vetvete shumë plane të detajuara infrastrukturore, që nisin nga kanalizimet, ujësjellësi, infrastruktura rrugore, elementët urbanë, planifikimi i hapësirave publike, çlodhëse, gjelbërimin, vend pozicionimet më të favorshme agrokulturore, kultivuese etj, pa harruar dhe trajnimin e banorëve të këtyre zonave nëpërmjet formimit profesional që do t’u duhet për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj turistëve.

Është një projekt madhor, që sipas Subashit, përbëhet nga shumë miniprojekte të tjerë.

“Kemi përcaktuar prioritetet për ndërhyrje për çdo zonë, mbi bazën e të cilave po përgatisim projektet e plota, të cilat do t’i prezantojmë për financim”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat