Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ende nuk ka datë konkrete

Shqipëria

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ende nuk ka datë konkrete

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 20:07
Jean-Claud Juncker dhe Edi Rama

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claud Juncker, ka vlerësuar si impresionuese reformat e ndërmarra nga qeveria, por theksoi se nuk ka ardhur në Shqipëri me një datë konkrete.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ku është biseduar për ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë, në rrugën drejt afrimit me BE-në.

Juncker tha se nuk duhet humbur kohë për afrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

“Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma në shumë fusha, të cilat janë impresionuese. Nëse do të vazhdohet me këto reforma, kjo do t’i lejojë KE të rekomandojë negociatat. Nuk kam ardhur në Tiranë për një datë, por të inkurajojë Shqipërinë të vazhdojë me reformat. Ne do të jemi për krah Shqipërisë për ta ndihmuar që të përgatisë anëtarësimin”, tha Juncker.

Ai u pyet nga gazetarët se pse ende nuk ka një datë për Shqipërinë, e cila e ka nisur reformën në drejtësi, ndërsa e kundërta ndodh me Serbinë dhe Malin e Zi.

Juncker u shpreh se jo detyrimisht këto dy vende do të jenë anëtare të BE në 2025.

“Ky është një proces që bazohet në merita. Ne nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të jenë detyrimisht vende anëtarë në 2025, kjo mund të jetë më herë ose më vonë. Nuk është momenti se Shqipëria do të trajtohet në mënyrë jo të favorshme. Ky është një proces që bazohet në meritat e secilit vend. Të gjitha vendet që i plotësojnë kriteret do të bëhen anëtare”, tha Juncker.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se Shqipëria e meriton votën pro çeljes së negociatave me BE-në.

“Integrimi në BE është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë evropianë këtu në vendin tonë. Dua ta përsëris se besoj fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër dhe besoj se vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht votimit për hapjen e negociatave, pasi i kemi bërë me përpikëri detyrat e shtëpisë. Keqardhje që nuk ju pritëm dot me një mot tipik shqiptar dhe mesdhetar, por ju bëmë të ndjeheni si në Bruksel, me shi, gri dhe mërzi”, tha Rama.

Ai tha se reformat dhe vettingu, janë të domosdoshme dhe të detyrueshme për integrimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat