Mediu i shqetësuar: Të shmangim çdo qëndrim që i jep arsye ndërhyrjes ruse në dialogun Serbi-Kosovë

Shqipëria

Mediu i shqetësuar: Të shmangim çdo qëndrim që i jep arsye ndërhyrjes ruse në dialogun Serbi-Kosovë

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 15:47
Fatir Mejdiu

Deputeti Fatmir Mediu, ka ngritur sot ne Parlament gjate fjales se tij disa shqetësime për Sigurinë Kombëtare.

“Para disa ditësh, Ministri i Jashtëm Rus Lavrov, kërkoi që Rusia të bëhet pjesë e dialogut Serbi-Kosovë. Kjo vjen mbas kërkesës së Presidentit Vuçiç në Moskë dhe duket qartë që ka një kombinim të nivelit të lartë të Rusisë dhe Serbisë, për zhvillimet në Ballkan dhe në marrëdhëniet me Kosovën.

Kjo kërkesë minimalisht do ta frenonte proçesin dhe për më tepër, do ta kthente atë mbrapa.

Prandaj ne duhet të shmangim çdo qëndrim apo deklarim që do t`i jepte arsye ndërhyrjes Ruse në dialogun Serbi-Kosovë, për më tepër duhet që krahas BE të angazhohemi seriozisht në marrëdhënie me SHBA për këtë çështje.

Nëse ne do të besojmë se rritja e influencës dhe marrëdhënieve ushtarake të Rusisë me Serbinë, janë zhvillime spontane, jemi më shumë se naiv.

Nëse ne e shohim marrëdhënien ushtarake Turqi-Rusi, në veçanti blerejen e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 si një zhvillim normal, atëherë bëjme “sikur jemi” apo nuk lexojmë si duhet analizën dhe shqetesimin e NATOs, BE, Ëashingtonit, Berlinit dhe Londrës. Natyrisht këto kapërcejnë masën dhe rolin tonë, por nuk mund të injorojmë faktin se do kenë një ndikim jo të vogël në interesin tonë kombëtar dhe sigurinë.

Në këtë situatë shumë konfuze dhe kontadiktore, Ne duhet të përcaktojmë qartë raportet dhe marrëdheniet tona në shërbim te interesit kombëtar dhe njëkohësisht në përputhje me politikat e NATOs dhe partnerëve tanë strategjikë, në veçanti SHBA.

Parë nga ky këndvështrim por dhe asaj që diskutuam për policinë, ndikimin politik, korrupsionin, me lejoni të sjell në vëmendjen tuaj Raportin për Ballkanin Perëndimor të Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar.

Citoj:” Korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, po vret potencialin ekonomik të vendit”.

Korrupsionin është i lidhur me krimin e organizuar. Ky nivel korrupsioni ka krijuar “terren të gatshëm për krimin e organizuar”.

“Grupet e krimit shqiptar kanë krijuar një ndikim të profilit të lartë brenda dhe kanë kontroll të konsiderueshëm në gjithë tregun e trafikimit të drogës në BE, me ndikim të veçantë dhe ndikim të nivelit të lartë në tregun e kokainës. Kriminelët nga Ballkani po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, duke formuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine”.

“Lufta kundër ndikimit nga krimet e rënda, krimi i organizuar dhe terrorizmi dhe ndërtimi i mundësive ripertëritëse brenda vendit dhe rajonit, për të trajtuar problemet e veta”, është me rëndësi jetike.

Kapja e shtetit: Ka një shqetësim se: “përparimi i qeverisjeve të mëparshme është kthyer mbrapsht”. Një tendencë në rritje drejt kapjes së shtetit është e dukshme, e cila imponon “kontrollin partiak mbi politikat e punësimit në të gjitha nivelet administrative” duke çuar në “klientelizëm dhe nepotizëm në administratë, meqenëse punësimi perceptohet shpesh si një shpërblim për arritjet dhe punën për partitë politike dhe interesat e tyre.

“Fenomeni i kapjes së shtetit si një mjet ku” individë të fuqishëm, parti politike, degë ekzekutive dhe kompani shtetërore mbizotërojnë institucionet në pjesën më të madhe të vendit. Në shumicën e rasteve mediat kontrollohen, ose monitorohen, nga pushteti ”

Ndikimi i qeverisë dhe i partisë në pushtet, kufizon gjithashtu shoqërinë civile dhe shkon aq larg sa të strukturojnë “kapjen e shoqërisë”.

Lidershipi autoritar: Kthimi i ” udhëheqjes së fortë ” është një nga sfidat më të mëdha politike dhe qeverisëse të Ballkanit Perëndimor. Sundimi i udhëheqësve të tillë ka minuar shumë politikën e shëndetshme demokratike, qeverisjen e mirë dhe lirinë e medias. Kjo metodë e qeverisjes siguron stabilitetitin në dukje, por ka krijuar paqëndrueshmëri themelore afatgjatë”.

Largimi masiv i shqiptarëve, i mirëorkestruar për shkak të kësaj situate të papranueshme, varfërsië, pasigurisë dhe krimit, po sjell një pasojë të pariparueshme dhe kriminale: Zvogëlimin galopant dhe plakjen e shpejtë të shoqërisë shqiptare. Me keto rritme ne do jemi jo vetem vendi më i varfër në Ballkan, por dhe vendi më i plakur dhe më i vogël në një periudhe afatmesme.

Kjo mund t`i krijojë bindjen qeverisë se i shërben politikave të saj të kontrollit politik, ekonomik dhe shoqëror, por është një marrëzi që duhet të marrë fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat