Reshje të dendura bore në mbarë vendin, bllokohen disa rrugë, mbyllen shkollat

Shqipëria

Reshje të dendura bore në mbarë vendin, bllokohen disa rrugë, mbyllen shkollat

Nga: Shekulli Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 17:17
Ilustrim

Pothuajse gjithë territori i vendit është përfshirë sot nga reshjet e dendura të dëborës, që janë bërë shkak për bllokimin e një sërë rrugëve, dhe mbylljen e disa shkollave.

Shkodër

I gjithë qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshjet e dendura të borës, ku trashësia në qytet arritur rreth 15 cm.

Rrugët kombëtare që lidhin qytetin e Shkodrës me qytetet e tjera janë të kalueshme, por problematike paraqiten zonat malore. Në Dukagjin dhe Iballë të Pukës, për momentin janë të izoluara.

Dibër

Trashësia e dëborës në Peshkopi shkon mbi 40 cm, ndërsa në zonat mbi 800 m shkon deri në 1 metër. Rrugët dhe trotuaret e qytetit janë të bllokuara, ndërkohë që edhe shkollat janë të mbyllura.

Mësohet se në ndihmë të bashkisë është dërguar edhe një borëpastruese nga Maqedonia. Ndërkaq stuhia e acarit ka shkaktuar ngrirjen e ujit dhe furnizimin e ujësjellësit në Bulqizë.

Lezhë

Shkollat janë mbyllur në Lezhë nga frika e rrëshqitjes pasi rrugët janë mbushur me shtresë dëbore dhe akulli.

Ndërkohë lëvizja në rrugët kombëtare ka vijuar pa pengesa serioze, por janë të bllokuara rrugët Rrëshen-Lurë, Rrëshen- Orosh-Kacinar si dhe rruga drejt fshatrave Gallat e Skuraj në Kurbin.

Korçë

Në aksin Korçë- Dardhë dhe Korçë-Ersekë janë krijuar shtresa akulli çka e bën të domosdoshëm përdorimin e zinxhirëve ndërsa në pjesën tjetër të akseve situata raportohet normale.

Mësimi do të zhvillohet me orë të reduktuara në disa shkolla në zonat rurale të vendit. Në Proptisht, Mokër dhe në disa zona të Kolonjës ka pasur edhe probleme me furnizimin me energji elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat