Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë takohen në Beograd

Shqipëria

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë takohen në Beograd

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 18:33
Foto nga takimi

Rigjallërimi i politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjia e publikuar nga Komisioni Evropian, ka bërë bashkë sot në Beograd ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë.

Në një njoftim nga Ministrisë së Jashtme shqiptare, bëhet e ditur se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e Tretë të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, që u mbajt në Beograd nën kujdesin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Në fokus të diskutimeve ishte qasja e përbashkët e vendeve të rajonit dhe bazuar mbi avokatinë e Italisë, për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian, si një dokument që e vë theksin në jetësimin e ëndrrës integruese të rajonit.

“Axhenda trilaterale ka kontribuuar në konsolidimin e bashkëpunimit politik mes vendeve tona, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri, që bazohet në bashkëpunimin rajonal dhe vënien në jetë të politikave dhe projekteve të BE-së në Ballkan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë dhe BE-së”, theksoi Ministri Bushati.

Ministrat e vunë theksin në shtimin e përpjekjeve të përbashkëta për implementimin e angazhimeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht hartës së rrugës që përcaktoi Samiti i fundit i Triestes për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale dhe  jetësimin e axhendës së ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike.

Në takim, u konfirmua angazhimi dhe vendosmëria për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, si objektiv i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, çka duhet të shërbejë si themeli i forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë, duke tejkaluar ndasitë dhe interesat e ngushta kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat