A do të fusë në burg Xhafaj... drejtorët e Saimir Tahirit?! Ministri pranon kanabizimin dhe...

Shqipëria

A do të fusë në burg Xhafaj... drejtorët e Saimir Tahirit?! Ministri pranon kanabizimin dhe...

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 23:08
Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri

Pa dyshim që përgjegjësia për kanabizimin, siç ndodhi në 2016, është e drejtuesve të lartë të policisë.

Është kjo një pjesë e deklaratës së Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili u shpreh se në vitin 2016 situata me kanabisin u bë problematike dhe drejtuesit në polici, me dashje apo në heshtje, favorizuan kultivimin e drogës.

I ftuar në emisionin Përballë në TVSH, Xhafaj e drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek drejtuesit e policisë, duke argumentuar se faji i takon në rradhë të parë atyre, e më pas efektivëve të policisë që kanë ndihmuar apo favorizuar në terren, kultivimin e kanabisit.

Një deklaratë e tillë e Fatmir Xhafës nënkupton se Ministri ka pranuar problematikën me kanabisin, por edhe nevojën për të shkuar më tutje në denoncimin dhe çuarjen përpara drejtësisë të shumë drejtuesve që kanë lejuar kultivimin e drogës në vend.

Në këtë sens, mbetet për t’u bërë pyetja: A do të arrestojë Fatmir Xhafaj, drejtuesit që kanë toleruar kanabisin... drejtues të cilët janë vënë nga ish Ministri Tahiri?!

Pjese nga intervista:

Sikur sapo e thashë më parë që një nga urdhrat e parë, juaji, ka qenë Vettingu në Polici. Ju morët detyrën e ministrit të Brendshëm për disa javë në marsin e vitit të kaluar. Patët një shkëputje si rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit dhe pritej që ju të ishit prapë në detyrë si Ministër i Brendshëm pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Gjithë kjo kohë, gjithë këto muaj, në mendjen tuaj çfarë mendohet se është sot problemi kryesor që ka Policia Shqiptare.

E para, periudha ndërmjet, si me thënë, pa qenë në funksionin e Ministrit më dha gjithë kohën për ta menduar se si mund të ushtrohet më mirë kjo përgjegjësi, që ishte një përgjegjësi e re për mua dhe nga pikëpamja e njohjes së kësaj fushe.

Kishte dy arsye që më bindën për një vendimmarrje të thellë lidhur me çështjen e një reforme të brendshme brenda strukturës së Policisë dhe Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ose ish-SHKB-së së famshme e cila është drejtoria që kontrollon strukturën e Policisë.

Së pari, ishte situata e krijuar në vitin 2016, e cila rezultoi që një pjesë e Policisë në heshtje apo në mbështetje kishin favorizuar në disa zona të territorit kultivimin e kanabisit.

Kur thoni një pjesë e Policisë keni parasysh oficerë policie apo policë të thjeshtë?

Është e vështirë ta ndash, po  padyshim përgjegjësia kryesore është e oficerëve të nivelit drejtues, sepse nëse drejtuesit e Policisë qëndrojnë në kufijtë e ligjit, të respektimit strikt të ligjit, është pothuajse gati e pamundur për vartësit e tyre për të pasur deviacione në zbatimin e ligjit. Kjo ishte njëra arsye.

Arsyeja e dytë, vinte dhe nga fakti që tre vjet në drejtimin e Reformës në Drejtësi unë isha i bindur që organe të kësaj natyre kanë të domosdoshme, edhe për shkak të një sërë problematikash, të akumuluara jo në një vit, por në vite të ndryshme, ndoshta edhe në të gjithë periudhën e tranzicionit. Ndërkohë kjo buronte edhe nga një bindje e brendshme që e kisha të krijuar gjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, sepse drejtësia penale siç ju e thatë me të drejtë në hapje të këtij emisioni është një trekëndësh brinjët e të cilit janë Gjykata, Prokuroria dhe Policia Kriminale ose oficerët e hetimit në polici, Policia Gjyqësore e thënë ndryshe.

Padyshim prolematikat që lidhen me dy brinjët e tjera nuk ka sesi të mos ketë efektuar edhe tek brinja tjetër ose edhe tek faktori tjetër komponent siç ishte Policia, për të mos thënë që këto janë pesë të një problematike, të një rrethi problemesh që vuante sistemi drejtësisë dhe i Agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit. Pra, nga njëra anë ishin problematikat e evidentuara, që ishin dukshëm, që tërhiqinin vëmendje dhe nevojën e një implikimi të strukturave apo individëve të caktuar brenda Policisë dhe nga ana tjetër ishte një përfundim logjik nga analiza e Reformës në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat