Harmonia fetare, modeli që duhet të ndjekë politika

Shqipëria

Harmonia fetare, modeli që duhet të ndjekë politika

Më: 21 prill 2018 Në ora: 07:23

Komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri përshëndesin rekomandimin për hapjen e negociatave me BE dhe i bëjnë thirrje politikës të jetë e përgjegjshme dhe të ndjekë modelin e harmonisë fetare për integrimin e vendit në BE.

Në një deklaratë për mediat, thuhet se “Ne, komunitetet fetare të pranishme në Shqipëri, shprehim përgëzimet më të përzemërta për popullin tonë shqiptar, me rastin e marrjes së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me BE”.

Më tej thuhet se “Rrugëtimi ynë drejt Europës, aty ku ne përkasim natyrshëm, është tashmë një fakt dhe një dëshirë e popullit tonë. Etërit themelues të shtetit shqiptar, ndër të cilët ishin edhe klerikë të besimeve tona fetare, ishin të bindur për këtë përkatësi. Po ashtu, në kohët më të vona udhëheqësit fetarë të Shqipërisë, nuk kanë dyshuar kurrë për vokacionin europian të shqiptarëve, vokacionin për një shoqëri të lirë, ku të gjithë të ushtrojnë të drejtat e tyre, përfshi edhe të drejtën themelore të besimit. Ne besojmë se liria e fjalës dhe e besimit, familja, paqja, solidariteti, janë vlera mbi të cilat mbështetet edhe shoqëria jonë, që aspiron të jetë pjesë e familjes europiane”.

Komunitetet fetare në Shqipëri ofrojnë një model të harmonisë

Po ashtu, komunitetet fetare shprehen se “Ne, komunitetet fetare në Shqipëri ofrojmë një model të harmonisë dhe të vëllazërimit, si një shërbim ndaj njeriut, shoqërisë dhe ndaj aspiratave të ligjshme të popullit tonë, ndër të cilat është edhe hyrja në familjen europiane. Kjo harmoni dhe ky model është një pasuri që ne sjellim dhe mbartim me vete në rrugëtimin tonë drejt Europës dhe është një e mirë për vetë shtetet që sot përbëjnë këtë organizim politik e shoqëror.”

Komunitetet fetare i bëjnë thirrje politikës të jetë e përgjegjshme

“Me këtë rast ne i bëjmë një thirrje me ngulm dhe vendosmëri ndërgjegjes së të gjithëve, politikës në përgjithësi e qeverisjes në veçanti, që të vazhdohet puna me përkushtim nga ana e të gjithëve për përmbushjen e standardeve që duhen për të qenë pjesë e Europës”.

Një thirrje e fundit, por shumë e rëndësishme nga të gjithë ne religjionet bashkë, i shkon kancelarive perëndimore. Nëpërmjet ambasadave të tyre të akredituara në Tiranë, ne u kërkojmë shteteve anëtare të BE që të mbështesin akoma më fuqishëm këtë proces. Është në të mirën e Europës që edhe shqiptarët, e pse jo i gjithë Ballkani Perëndimor, të jenë pjesë e saj.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ne të gjithëve! Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve. Vëllazëria Ungjillore. /ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat