Nipi dhe vajza rrezikojnë Dizdarin e Kushtetueses para vettingut

Shqipëria

Nipi dhe vajza rrezikojnë Dizdarin e Kushtetueses para vettingut

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 15:20
Komisioni hetimor

Gjyqtari kushtetues Gani Dizdari nuk ishte i pranishëm në seancën dëgjimore të vettingut. I fundmi i gardianëve të Kushtetutës kishte zgjedhur avokatin Sokol Hazizaj për ta mbrojtur para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Dy nga komponentët që e vendosin në rrezik karrierën e gjyqtarit kushtetues, Gani Dizdari, janë pastërtia e figurës dhe asetet pasurore. Në lidhje me pastërtinë e figurës, Gani Dizdari u deklarua nga KPK-ja se ka lidhje të papërshtatshme me një person të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Ky shtetas, në fakt është nipi i tij.

Me shtetasin Agron Lumneshi, që është djali i motrës së gjyqtarit kushtetues, Dizdari ka kontakte të papërshtatshme sipas vettingut. Si provë shtesë u sollën të dhënat e sistemit “TIMS” mbi udhëtimet e përbashkëta të tyre.

Emri i Lumneshit, i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, është bërë i njohur vite më parë, atëherë kur gjyqtari ishte anëtar i Gjykatës së Lartë. Por, avokati i Gani Dizdarit kundërshtoi gjetjet e KPK-së, jo vetëm sepse ndikimi i paligjshëm është një akuzë që nuk u përket individëve të krimit të organizuar.

“Mendoj që marrëdhëniet familjare janë marrëdhënie familjare. Marrëdhënie nëpërmjet ligjit është marrëdhënie nëpërmjet ligjit. Nuk mendoj, asnjëri prej nesh, që marrëdhëniet familjare të penalizojnë dikë”, tha avokati Hazizaj.

Komponenti i pasurive, siç ka rezultuar deri më tani, ka djegur edhe 3 gjyqtarë të tjerë kushtetues. Gani Dizdari, edhe pse rezulton me pasuri të justifikuara dhe të pafshehura, ajo që e vendos atë në rrezik është e bija.

Vajza e gjyqtarit kushtetues ka kontradikta në deklarata për blerjen e një apartamenti, për të cilin pranon mes të tjerash se të ardhurat burojnë edhe nga dy borxhe. Por, KPK-ja zbuloi se asnjëri nga huadhënësit nuk mundej të huazonte 55 mijë euro në total. Më tej, e bija nuk ka deklaruar as shumën prej 4.000 euro, të dhuruara për kurim në Gjermani.

Shkarkohet prokurori Adriatik Cama: Do ta apeloj vendimin

Ndërkohë gjatë ditës, sitën e vettingut e kaloi prokurori Kostaq Beluri, i cili u konfirmua në detyrë, ndërsa prokurori i “21 Janarit”, Adriatik Cama ngeci në filtrat e vettingut.

“Drejtësia vazhdon në të gjitha shkallët dhe unë do ta ndjek atë për të kërkuar të drejtën time që më takon”, tha Adriatik Cama, prokuror i shkarkuar.

Me një Gjykatë Kushtetuese, tek e cila kanë kaluar provimin e vettingut vetëm dy prej tyre, që janë Bashkim Dedja e Vitore Tusha; me një Gjykatë të Lartë prej së cilës ka kaluar vettingun deri më tani vetëm një anëtar, ndërsa një tjetër është në pikëpyetje të fortë, ditën e premte në këtë sallë beteja e radhës do të jetë për anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat