“Krimineli ka bërë fushatën zgjedhore”, flet deputeti i PS-së: S’ka qenë në Shqipëri në atë kohë

Shqipëria

“Krimineli ka bërë fushatën zgjedhore”, flet deputeti i PS-së: S’ka qenë në Shqipëri në atë kohë

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 15:47
Safet Rustemi

Safet Rustemi i njohur dhe ndryshe si Safet Bajri është një nga kriminelët më të rrezikshëm dhe më të kërkuar në Belgjikë, që sipas mediave ka gjetur strehim në Shqipëri.

33-vjeçari ka marrë një dënim me 9 vite burg, për akuzat për drogë, tentativë për vrasje dhe vjedhje me dhunë, ndërsa dyshohet dhe si i përfshirë në zhdukjen e dy shqiptarëve në Belgjikë.

E megjithatë sipas asaj që shkruajnë mediat belge, ai në vendin tonë vijon të jetojë i qetë, dhe madje duke bërë të fortin në Shkodër.

Mediat shkojnë më tej në konkluzionin e tyre, duke thënë se ai ka ndihmuar në fushatë deputetin e PS-së Luan Harusha.

“Portreti i një njeriu të keq’’, është titulli i shkrimit të gazetës belge “La Dernier Heure”  e cila shkruan se Safet Rustemi është një ndër tre emrat që i janë shtuar klubit shumë të ngushtë të kriminelëve më të kërkuar të policisë federale në Belgjikë.

Ndërkohë i kontaktuar nga Fax News deputeti Luan Harusha u shpreh se ai e njeh Safet Rustemin, po në kohën kur janë zhvilluar zgjedhjet ai nuk ka qenë në Shkodër po në burg.

Harusha tha më tej se ai ka njohje familjare me personin që është shpallur më i kërkuari në Belgjikë, po ai nuk mban përgjegjësi për aktivitetin që ai ka kryer në vende të tjera europiane.

Armela Ferko: Përshëndetje zoti Harusha, donim që t’iu pyesnim për një artikull të mediave belge lidhur me Safet Bajrin, ku thuhet se ai ju ka ndihmuar në 2017-tën, në fushatën për zgjedhjet e pushtetit qëndror. A e njihni?

Deputeti Harusha: Dëgjo goce, atë Safet Bajrin e kam kojshi në lagje, ai ska qenë fare në zgjedhje

Armela Ferko: Pra nuk ju ka financuar ju dhe Partinë Socialiste në zgjedhjet e 2017-tës?

Deputeti Harusha: Jo ka ardhur nga burgu nga shtatori, a tetori, ku di unë

Armela Ferko: Mediat belge thonë që ju keni mbyllur një konflikt të tij në një nga lokalet më të njohura të Shkodrës, ku politika ka ndërhyrë që ai të mos arrestohej?

Deputeti Harusha: Nuk është e vërtetë moj vajzë, nuk merrem unë me atë punë. Unë e njoh familjarisht se i kemi shpijat 100 metra larg, 50 metra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat