Mjeku tregon rastet e kafshimit të qenve në Tiranë: Disa i ka kafshuar dhe gomari!

Shqipëria

Mjeku tregon rastet e kafshimit të qenve në Tiranë: Disa i ka kafshuar dhe gomari!

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 22:14
Qent

Tre deri në pesë persona paraqiten çdo ditë pranë urgjencës së shërbimit infektiv në QSUT me plagë në trup të shkaktuara nga kafshimi i qenve.

Doktor Genti Stroni mjek me shumë eksperiencë në këtë shërbim tregon disa nga rastet më të rënda që ai ka parë të vijnë në urgjencën ku punon e ku viktima të kafshimit kanë përfunduar edhe vetë pronarët e kafshëve.

Në një rast mjeku tregon se si i është dhënë ndihma e parë një personi nga Fushë Kruja i shpëtuar nga familjarët e tij që ishin detyruar ta vrisnin kafshën që t’i hapnin gojën.

Rastet që tregon doktor Stroni janë vetëm ato që vijnë në spitalin “Nënë Tereza”. Ndërkohë burime zyrtare nga spitali i traumës në Tiranë pohojnë se numri i urgjencave me plagë të shkaktuara nga qentë është edhe më i madh se në QSUT.

Më shumë sesa plagët, personi i kafshuar vuan traumën psikologjike që e trashëgon gjithë jetën ndërsa paniku e kap sa herë që shikon një qen në rrugë.

Ndërkohë shprehja e vjetër se ‘dielli i tërbon qentë’ sipas doktor Stronit vlen edhe për kafshët që përdoren në fermat fshatare. Mjeku pohon se ka pritur në urgjencë edhe persona të kafshuar nga gomari apo kali.

Në momentin e parë që një person i kafshuar nga qeni mbërrin në urgjencën e infektivit atij i injektohet serumi antitetanik ndërsa vaksina kundër tërbimit nuk këshillohet nga mjekët pasi në Shqipëri nuk ka raste të dokumentuara.

Nuk mungojnë as denoncimet e qytetarëve që përmes medias deklarojnë se janë kafshuar teksa shëtisnin në park për t’u çlodhur, si në rastin e kësaj gruaje e cila pranon se është treguar më shumë se zemërmirë me pronarin e qenit duke mos e denoncuar në polici rastin e kafshimit.

Por as denoncimet në organet ligjzbatuese dhe ato në media nuk i kanë vënë fre fenomenit që po kthehet në një trend të rrezikshëm ku gjithnjë me shumë shohim qenë me pronarë në liri të plotë pa maska e zinxhirë mes tyre edhe raca që cilësohen nga specialistët tepër agresive si pitbull, doberman, Rottëeiler etj.

Për të ndërgjegjësuar pronarët e kafshëve nuk vlen as kjo tabelë detyruese e vendosur nga Bashkia Tiranë në çdo cep të parkut të liqenit, ku këshillohet që qentë pa përjashtim të mos lëvizin në park pa maskë mbrojtëse dhe pa litar.

Por ka të rinj që vijnë nga liqeni jo për t’i shëtitur kafshët por për ti stërvitur sesi të sulmojnë më mirë.

E të mendosh se gjithçka ndodh në sytë e strukturave policore të bashkisë dhe të rendit që monitorojnë parqet e Tiranës.

Për fatin e keq eksperienca ka treguar se shteti dhe strukturat ligjzbatuese reagojnë vetëm pasi ndodh kafshimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat