Zbardhet vendimi i KPK, si kaluan me nota minimale tek aftësitë profesionale gjyqtarët Ukperaj dhe Brati

Shqipëria

Zbardhet vendimi i KPK, si kaluan me nota minimale tek aftësitë profesionale gjyqtarët Ukperaj dhe Brati

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 10:19
Brikena Ukperaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur ditët e fundit vendimet për dy gjyqtaret Alma Brati e Gjykatës së Tiranës dhe Brikena Ukperaj e Gjykatës së Apelit Vlorë. Të dyja këto gjyqtare janë kandidate për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Edhe pse nga integriteti i figurës dhe pasuria ato kishin nivel besueshmërie të lartë, nga ana profesionale të dyja kanë çaluar. Kështu, sipas vendimeve të zbardhura nga KPK-ja, gjyqtarja Ukperaj, në një vendim për pronat në Karaburun, ka zbardhur me vonesë arsyetimin e vendimit për një periudhë prej 1 muaj e tri ditësh. Gjyqtarja është justifikuar se dy ditë ka qenë me raport mjekësor.

“Zbardhja e vendimit në këtë afat është në tejkalim të afatit procedural të parashikuar nga neni 308 i Kodit të Procedurës Civile (23 ditë tej afatit), si dhe të afatit për ushtrimin e rekursit të parashikuar nga neni 443/ 2 i Kodit të Procedurës Civile (3 ditë tej afatit)”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu edhe dy çështje të tjera gjyqësore, të zgjatura përtej afateve të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Por pavarësisht këtyre konstatimeve, trupi gjykues arrin në përfundimin se nuk ka indicie apo elementë që mund të ngrinin dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi, që cenojnë figurën e gjyqtarit në atë shkallë, sa ta konsideronte subjektin e rivlerësimit të papërshtatshme nga ana profesionale, por pavarësisht kësaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka vendosur notën minimale kualifikuese gjyqtares Ukperaj në vlerësimin e aftësive profesionale.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me gjyqtaren Alma Brati të Gjykatës së Tiranës. Ne vendimin për Bratin, KPK-ja konstaton se disa vendimeve të Bratit u mungon qartësia.

Madje, KPK-ja shkon edhe më tej duke thënë se Brati nuk respekton tërësisht rregullat e drejtshkrimit dhe struktura e vendimeve të saj nuk është ajo standardja. Megjithatë, sipas KPK-së, subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

“Struktura e vendimeve të saj nuk është e standardizuar. Ajo nuk respekton tërësisht rregullat e drejtshkrimit dhe nuk përdor rregullisht të gjitha karakteret e gjuhës shqipe. Nuk mungojnë rastet, kur fjalitë kanë gabime gjuhësore”, shkruhet ndër të tjera në vendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat