Dekretohet ligji që zyrtarizon mësimin shqip në diasporë

Shqipëria

Dekretohet ligji që zyrtarizon mësimin shqip në diasporë

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Zyrtarizohet mësimi shqip në diasporë. Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta dekretoi ligjin nr. 48/2018, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ku janë përfshirë propozimet e parashtruara në Strategjinë e re për Diasporën. Mbi bazë të këtij ligji të rëndësishëm, ministria përgjegjëse për arsimin, do të krijojë regjistrin shtetëror të mësueseve të gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë vendit dhe do të pajisë me certifikatë nxënësit pas përfundimit të programit. Kriteret për krijimin e regjistrit shtetëror dhe dhënien e certifikatës miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin. Gjithashtu, një tjetër shtesë e rëndësishme është përfshirja e përfaqësuesit të ministrisë përgjegjëse për Diasporën në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Ndërkaq, arsimi shqip jashtë vendit ishte çështja që mblodhi disa ditë më parë në të njëjtën sallë dhjetëra mësues të diasporës, Ministrat e Arsimit dhe Diasporës së Shqipërisë e Kosovës e Kryebashkiakun e Tiranës.

Në fjalën e tij, në hapje të seminarit të XIV mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, shprehu mirënjohjen për punën e paçmuar të mësueseve shqiptarë jashtë vendit dhe tha se për herë të parë dy qeveri kishin koordinuar përpjekjet për të adresuar sfidën e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit tek brezat e rinj në diasporë. Z. Majko përmendi ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për arsimin parauniversitar, të cilat mundësojnë për herë të parë regjistrimin dhe certifikimin e mësueseve të diasporës. Ndërkaq, Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla, u ndal tek rëndësia e finalizimit të një kurrikule të përbashkët të mësimit në diasporë, së bashku me Kosovën. Homologu i saj nga Kosova z. Shyqyri Bytyqi deklaroi se tashmë ekzistonin mundësitë për të ndihmuar në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë. I ftuar në aktivitet ishte edhe Kryetari i Bashkisë z. Erjon Veliaj, i cili pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë mësueseve të diasporës, i falënderoi ata për kontributin e madh që po jepnin si misionarë të gjuhës shqipe. Seminari “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë” do të vazhdojë deri në datën 4 gusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat