DASH: Shqipëria, e dyta pas Afganistanit për pastrim parash

Shqipëria

DASH: Shqipëria, e dyta pas Afganistanit për pastrim parash

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 09:49
Mike Pompeo

Në raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për muajt e parë të vitit 2018, një vend të rëndësishëm zë lufta kundër pastrimit të parave. Shqipëria është kthyer në një portë hyrëse për paratë e pista dhe drogat e rënda, çka e bën të rrezikshme situatën e saj ekonomike

Departamenti Amerikan i Shtetit, e shikon Shqipërinë me rrezik shumë të lartë, për sa i përket fenomenit të pastrimit të parave. Por ajo që e shqetëson më shumë Departamentin Amerikan dhe strukturat e tij, të cilat merren me analizimin e pastrimit të parave, është zbatimi i dobët i legjislacionit. Pra, dilema dhe zhgënjimi është se, Shqipëria e ka legjislacionin, por ligjet përkatëse nuk funksionojnë dhe nuk janë përshtatur me frymën e kërkuar nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe institucionet ndërkombëtare. Konkretisht, ligjet e tilla janë: Pastrimi i Parave nga Trafikimi i Drogës, Sigurimi i Dispozitave ligjore të Klientëve, Transaksionet e Dyshimta Financiare, Transferimi i llogarive jashtë kufijve financiar të një vendi, Zbatimi i Inteligjencës Financiare, Bashkëpunimi për Ligjin financiar, Sistemi për identifikimin e aseteve të dyshimta dhe Zbatimin e Legjislacionit të Kombeve të Bashkuara për Ligjin mbi pastrimin e parave. Të gjitha këto ligje apo rekomandime nuk janë zbatuar plotësisht ose nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare nga ana e Shqipërisë.

Renditja

Vendi ynë mbetet në rrezik të madh për shkak të pastrimit të parave, për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta të drejtësisë dhe qeveritare. Shqipëria ndodhet në të njëjtën listë më shtetet e dobëta të cilat janë prekur nga fenomeni i pastrimit të parave. Në këtë kategori bëjnë pjesë, shtete si, Afganistani, Algjeria, Burbuda dhe Andora, por edhe Serbia, Ukraina, Rusia, Moldavia, Iran, Irak, Azerbajxhan dhe Jordani, pra vende ose të varfra ekstremisht ose gjysmëdiktatura. Në raportin e DASH citon se, “Shqipëria ka një ekonomi të prekur fuqishëm nga sektori informal, si dhe hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë vendit në formën e remitancave. Krime të mëdha që gjenerojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka tregun e zi për mallrat kontrabandë, e cila vitet e fundit është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme. Po ashtu kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe nëpër dogana.

Pastrimi i parave dhe korrupsioni

Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme të marihuanës, kryesisht në drejtim të Bashkimit Evropian, dhe është vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer si një portë kyçe për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, “Shqipëria shërben si një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar në rajon. Faktet kanë treguar se të ardhurat e paligjshme pastrohen lehtësisht në Shqipëri. Pasuritë e patundshme, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e zhvillimit të biznesit dhe lojërat e fatit, janë ndër metodat më popullore të fshehjes së të ardhurave të paligjshme. Zbatimi i ligjit që merret me luftën kundër pastrimit e parave ekziston në Shqipëri, por gjithsesi këto ligje mbeten kryesisht joefektive dhe kanë nevojë të zhvillohen.

Vëzhgimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të kërkuar nga ndërkombëtarët, si dhe reformat kushtetuese të vitit 2016, filluan në zbatohen në nëntor të vitit 2017. Para fillimit të verifikimit nga organet e Vetingut, media raportoi një rritje të lëvizjeve të aseteve të njerëzve të pushtetshëm të Shqipërisë. Policia e Shtetit ka një njësi të dedikuar për Krimet Ekonomike të ngarkuar me zbatimin e ligjit, ndërsa policia dhe prokurorët vazhdojnë të marrin trajnim për këtë çështje. Në tregun e zi të Shqipërisë, bëjnë pjesë mallrat e kontrabanduara, kryesisht duhani, bizhuteritë, makinat e vjedhura dhe telefonat celularë.

Shqipëria mbetet një vend tranzit për trafikimin e drogës dhe një burim i rëndësishëm i kanabisit, kryesisht në zonat malore të largëta të vendit. Numri i konfiskimeve dhe arrestimeve të drogës u rrit dramatikisht brenda vendit, gjatë viteve të fundit, të nxitura kryesisht nga rritja e përpjekjeve dhe presionit ndërkombëtar dhe përpjekjes së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimi Evropian. Sidoqoftë, dyshimet vazhdojnë në lidhje me qëndrueshmërinë e angazhimit të qeverisë, angazhimin dhe zbatimin e këtyre reformave.

Reformat e fundit kushtetuese dhe legjislative në institucionet e drejtësisë të vendit janë inkurajuese, dhe zbatimi i mëtejshëm i këtyre reformave do të jetë e nevojshme për të adresuar korrupsionin, lidhjet e saj me prodhimin ilegal të drogës dhe krimin e organizuar më gjerësisht. Në vitin 2016 dhe 2017, parlamenti shqiptar kaloi disa reforma të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore, të cilat  synonin luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe luftën kundër pastrimit të parave. Këto përfshijnë reforma thelbësore të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar, si dhe një ligj i riorganizuar për pastrimin e parave. Reformat, nëse zbatohen si duhet, do të lenë një sukses për luftën kundër pastrimit të parave dhe ligjeve të tjera të krimit financiar”.

Prokuroria

“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë një marrëveshje të drejtpërdrejtë ligjore, në lidhje me pastrimin e parave, por bashkëpunimi është i mundur përmes konventave shumëpalëshe. Shqipëria është anëtare e disa organizamave ndërkombëtarë, të cilat merren me luftën dhe identifikimin e pastrimit të parave. Qeveria ka ndërmarrë hapa për të luftuar korrupsionin zyrtar, por ajo duhet të vazhdojë të adresojë korrupsionin gjyqësor dhe atë të prokurorisë. Që nga heqja e imunitetit për gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë në vitin 2012, prokurorët kanë hetuar së paku 38 zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të zgjedhur lokalë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dënuar tre gjyqtarë, një prokuror dhe një kryebashkiak, të akuzuar për korrupsion”.-përfundon raporti i DASH.

Pushtetarët po largojnë paratë jashtë

Ajo për të cilën shqetësohet DASH, është se, me fillimin e procesit të “Vettingut”, shumë individë po përpiqen të transferojnë asetet e tyre jashtë vendit. Raporti citon se, “Në vitin 2016, Shqipëria miratoi ndryshime substanciale në Kushtetutën e saj, për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, dhe duke krijuar një gjykatë, prokurori dhe hetim të pavarur, të vëzhguar dhe të monitoruar nga agjenci për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, për të përfshirë trafikantët e narkotikëve dhe për pastrimin e parave. Pesëmbëdhjetë ligje të nevojshme për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese u kaluan para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017.

Shqipëria duhet të zbatojë ligjet në mënyrë efektive dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e policisë së saj dhe prokurorët që përqendrohen në korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimet ekonomike. Ndërsa Qeveria e Shqipërisë miratoi reformat e kodit penal dhe amendamentet legjislative, përpjekjet e zbatimit kanë qenë të dobëta. Reformat më thelbësore të vitit 2016 dhe 2017 kanë për qëllim të ndërtojnë një sistem më efektiv, por zbatimi i këtyre reformave ende po ndodh. Përkundër një numri të konsiderueshëm të hetimeve të pastrimit të parave gjatë viteve të mëparshme, numri i ndjekjeve penale të pastrimit të parave mbetet i ulët. Megjithatë, Shqipëria ka filluar të përdorë konfiskimin në raste të pakta, sepse personat e pushtetshëm mund t’i largojnë investimet e tyre jashtë vendit”.

DASH: Kujdes pagesat online dhe investimet “Off Shore”

Departamenti Amerikan i Shtetit përcakton se, raporti për Luftën kundër Pastrimit të Parave është jetik për vendet e vogla dhe rrugën e tyre në strukturat euro-atlantike. Ndërsa stabiliteti politik, demokracia dhe tregjet e lira varen nga financat, e qëndrueshme dhe të bëra në mënyrë të ndershme, nga komercialiteti dhe tregtia, zhvillimi i vazhdueshëm i regjimeve efektive të Pastrimit të Parave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të afta për të përmbushur sfidat në zhvillim, është vitale. Pastrimi i parave lehtëson trafikimin e drogës dhe gjallëron aktivitetin kriminal në mbarë botën. Është një mjet kyç i trafikantëve të drogës, organizatave kriminale transnacionale, grupeve terroriste dhe kontribuon në shkatërrimin e sundimit të ligjit, korrupsionin e zyrtarëve publikë, dhe destabilizimi e ekonomisë. Ky kërcënim njihet si një prioritet i sigurisë kombëtare nga ana e Shteteve të Bashkuara, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të vitit 2018, si dhe Rendin Ekzekutiv të vitit 2017.

Ky raport i përgatitur nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, është një përgjigje ndaj kërcënimit të fenomenit të pastrimit të parave. Raporti i Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit Pastrimit të Parave 2018, ofron një rishikim të infrastrukturës ligjore dhe institucionale të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, të çdo vendi ose juridiksioni, përshkruan dobësitë kyçe, nxjerr në pah hapat më të rëndësishëm për secilin vend ose çfarë juridiksioni ka marrë përsipër secili shtet, për të përmirësuar regjimin e tij Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe përshkruan çdo vend apo kapacitetin juridiksional, për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkëpunuar në hetimet ndërkombëtare. Raporti fokusohet mbi vendet e prekura nga fenomeni i pastrimit të parave, të cilat lidhen edhe me trafikimin e narkotikëve. Pastrimi i parave, si me shumë forma të tjera të krimit, vazhdon të zhvillohet dhe paraqet sfida të reja. Rritja e shpejtë e pagesave online në rang global, me sistemin (m-pagesat) dhe zhvillimi i monedhave kibernetike, kërkon vëmendje të veçantë. Në disa zona të botës, veçanërisht Afrikës dhe Azisë Jugore, dërgimi dhe pranimi i parave ose kreditimi me telefon është më i zakonshëm sesa posedimi i një llogarie bankare.

Përderisa pagesat “m” kanë potencial të madh, rreziku që organizatat kriminale dhe organizatat terroriste, që do të bashkëzgjedhin shërbimet e pagesave “m-reale”, do të rritet. Transparenca financiare dhe të tilla shërbime, mund të jenë problematike. Ngjashëm, monedhat kibernetike po rriten në popullaritet, duke zgjeruar përdorimin e tyre. Rregullatorët dhe zbatuesit e ligjit po e gjejnë veten në vështirësi, për të t’iu përgjigjur zhvillimit të shpejtë të metodologjive të pagesave elektronike. Qendrat e sistemi të investimit të parave në format “Off shore”, apo të quajturat ndryshe “parajsat fiskale” (Formë investimi në të cilën investitori shmang kontrollin financiar, se nga vijnë të ardhurat), zonat e tregtisë së lirë dhe bizneset e lojërave të fatit gjithashtu vazhdojnë të tërheqin fonde të paligjshme. Këta sektorë ofrojnë lehtësi dhe, shpesh, anonimitet për ata që dëshirojnë të fshehin ose pastrojnë të ardhurat nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera, të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat