Aksidente nga këmbësorët, asnjë gjobë për ecjen në mënyrë të rrezikshme

Shqipëria

Aksidente nga këmbësorët, asnjë gjobë për ecjen në mënyrë të rrezikshme

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 22:18
Ilustrim

Sipas statistikave të Policisë Rrugore, gati 50 për qind e aksidenteve me pasoja të rënda në zonat urbane kanë si shkaktarë këmbësorët e papërgjegjshëm.

Nga 10 aksidentet e fundit me vdekje në kryeqytet, ku janë përfshirë këmbësorë, në 8 prej tyre shkaktarë kanë qenë këta të fundit.

Sipas analizës së Policisë Rrugore, në Shqipëri mungon kultura e sjelljes së këmbësorëve. Ata lëvizin të padisiplinuar në rrugë, jo në vendkalimet përkatëse si vijat e bardha ose mbikalimet, duke ndërprerë karrexhatën në mënyrë të befasishme për shoferët.

Në vendet e zhvilluara në botë, policia i gjobit këmbësorët, ndërsa në Shqipëri, ndonëse shkelja parashikohet edhe në Kodin Rrugor, asnjë këmbësor nuk është gjobitur.

Masa e gjobës në Kod, për këmbësorët që kryejnë shkelje, parashikohet nga 500 deri në 2.000 lekë. Por, burime nga rrugorët thonë se, problemi i gjobave ndaj kësaj kategorie qëndron te mënyra e vjeljes së masës administrative, pasi nuk ka një udhëzim apo akt normativ.

Për këtë nevojiten marrëveshje me institucione të tjera, si bashkitë, në mënyrë që gjobat t’u vilen këmbësorëve të ndëshkuar kur paguajnë taksat, ose marrin shërbime të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat