Ulja e pragut rriti informalitetin?! Të ardhurat nga TVSH e brendshme në rënie për tre muaj radhazi

Shqipëria

Ulja e pragut rriti informalitetin?! Të ardhurat nga TVSH e brendshme në rënie për tre muaj radhazi

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 09:09
Foto ilustrim

Përpjekja e qeverisë për të rritur të ardhurat nga TVSH nëpërmjet përfshirjes në TVSH të bizneseve me xhiro 2 milionë lekë në vit ka dështuar për të tretin muaj radhazi.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme jo vetëm që nuk u rritën, por pësuan ulje me 7.1% (420 milionë lekë) krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Në terma realë, TVSH ka pësuar rënie për të tretin muaj radhazi (që kur nis aplikimi në biznesin e vogël më 1 prill) duke akumuluar një rënie në terma realë për 6-mujorin me 3% (531 milionë lekë).

Me gjithë kundërshtitë që erdhën nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët ekonomisë, Ministria e Financës arsyetoi se TVSH në biznesin e vogël në vetvete nuk do të kishte ndikimin në rritjen e barrës fiskale te kjo kategori biznesi, porse do të nxiste shkarkimin e TVSH-së nga bizneset e mëdha e për pasojë do të rriste të ardhurat në buxhet.

Vitin e kaluar kur u propozua ulja e pragut të TVSH-së, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në takim me bizneset në Lushnjë deklaroi, se për “as për konsumatorin dhe as për biznesin e vogël, nuk ka asnjë kosto të re. Ajo që është e re, është filozofia që ne nuk do merremi me ato që ka biznesi i vogël, e gjithë logjika ë është të fokusohemi tek biznesi i madh.

Për të ndarë me ju një statistikë domethënëse, çka vjen nga biznesi i vogël është 0,8% e të ardhurave nga TVSH-ja. Tani secili mund ta kuptoj qartë se si mundet që një administratë të fokusohet tek 0,8% dhe jo tek 99%? Pra fokusi ynë është zinxhiri i transaksionit tek biznesi i madh për ta detyruar biznesin e madh dhe për ta skanuar transaksionin e tij nga A tek ZH, pra deri te konsumatori.”

Mirëpo duket se filozofia e vënies së tatimit mbi biznesin e vogël me synimin për të kapur të madhin nuk ka funksionuar në tre muajt e parë të aplikimit të tatimit.

Ministria e Financave thotë se politika ka qenë e efektshme, porse të ardhurat nga TVSH-e brendshme kanë ardhur për shkak të mosfunksionimit të të rafinerisë së ARMO-s.

Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, ish përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.

Nga një vëzhgim i Monitor në treg dhe kontaktet me kontabilistë rezulton se ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë informalitetin, me subjektet e vogla që po kryejnë furnizime në minimum dhe nuk shtypin kuponët, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve dhe bizneset e mëdha që japin fatura me çmime fiktive më të ulëta.

“Për një bluzë që unë e marr me çmim real prej 1200 lekësh, biznesi ku bëj furnizimin ma faturon me vlerë 500 lekë. Përveçse kreditoj një shumë të ulët të TVSH-së, e nxjerr biznesin tim sikur punon me marzhe të larta fitimi. Në rast kontrolli nga tatimorët, kjo do më nxirrte zbuluar”, – tregon Elona, që ka një dyqan veshjesh, për “Monitor”.

ARMO krijoi borxh te TVSH, jo tek akciza

Të dhënat e siguruara në fund të vitit 2017 nga një raportim që Tatimet bënë në Kuvend për borxhet e akumuluara të ARMO-s, rezultoi se rafineria kishte paguar akcizë dhe ka krijuar borxhe në TVSH.

Për 11 muajt e 2017-s, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë (184 milionë litra, në bazë të dendësisë 1 ton = 1,180 litra).

Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare (shiko tabelën). Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore. Sipas legjislacionit në fuqi, momenti i pagesës së detyrimit të akcizës është hedhja për konsum e produktit.

Shoqërimi i të gjitha procedurave të deklarimit bëhet nëpërmjet Dokumentit Shoqërues Administrativ, DSHA. Të gjithë subjektet që përpunojnë produkte me akcizë detyrimisht pajisen me statusin e Depozituesit të Miratuar (Magazine Fiskale) nga administrata doganore (pra kur del nga prodhimi drejt magazinës fiskale, paguhet automatikisht akciza). Çdo subjekt duhet të garantojë detyrimet e akcizës, me lëvizje prodhim depozitim. Deklarimi dhe pagesa online bëhet nëpërmjet modulit kompjuterik të instaluar pranë Operatorëve.

Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhen paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër. Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 43 lekë për litër taksa, ose 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat