Bie niveli i Fierzës. Thatësira mund të rrezikojë rënien në “pikën kritike”

Shqipëria

Bie niveli i Fierzës. Thatësira mund të rrezikojë rënien në “pikën kritike”

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 19:53
Foto

Mungesa e reshjeve të shiut dhe temperaturat e larta të ditëve të fundit, që kanë mbërthyer rajonin e Kukësit, kanë bërë që niveli i ujërave në basenin e Hidrocentralit të Fierzës të ulet ndjeshëm.

Ndërkohë, gjatë muajit të kaluar, liqeni i Fierzës ishte pranë kuotës maksimale, për shkak të reshjeve të shumta që u regjistruan gjatë muajit qershor dhe fillimit të korrikut.

Niveli i ujërave të liqenit të Fierzës ka arritur afërsisht 293 metra, pasi prurjet e ujit vazhdojnë të jenë të ulëta.

Pavarësisht tendencës në rënie, liqeni i Fierzës, që shërben si rregullator edhe për liqenet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, vazhdon të jetë në nivele të pranueshme për periudhën, por rreziku për rënie në nivele kritike ekziston, për shkak të parashikimeve për motin e nxehtë dhe temperaturat e larta që do të shoqërojnë muajin gusht.

Liqeni i Fierzës, në nivelin maksimal të tij, 296 metra, ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliardë metër kub ujë. Ndërsa në nivelin e të ashtuquajturës “pikë e vdekjes”, 242 metra, kapaciteti është 1.2 miliard metër kub ujë, që nuk shfrytëzohet për prodhim energjie.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat