Nis të lëkundet besimi te vetingu, ONM hidhet në aksion

Shqipëria

Nis të lëkundet besimi te vetingu, ONM hidhet në aksion

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 10:38
Ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i

Ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i rekomanduan dje Komisionerit Publik që të ankimojnë në KPA vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. ONM rrit presionin pas disa vendimeve të dyshimta që konfirmuan në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë

Gëzimi i Kryetarit të Gjykatës së Lartë për kalimin e vettingut nuk ka zgjatur shumë. Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), iu paraqiti dje Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Sipas relacionit të përfaqësuesve ndërkombëtarë, konfirmimi në detyrë i Zaganjorit është i padrejtë nga ana e KPK-së dhe për këtë arsye çështja duhet të merret në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. “Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë, krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Vendimi për konfirmimin e kreut të Gjykatës së Lartë u mor më 24 korrik, por për shumëkënd ishte paksa i befasishëm. Gjatë seancës shqyrtuese ku Zaganjori ishte vetë i pranishëm, trupa gjykuese ngriti disa pikëpyetje për sa i përket mosjustifikimit të pasurisë nga ana e Zaganjorit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Roland Ilia, konfirmoi më 24 korrik Zaganjorin, pavarësisht se në seancën dëgjimore ishin ngritur një seri pikëpyetjesh mbi pasurinë e tij me vlerë rreth 58.7 milionë lekësh. Institucioni i Komisionerit Publik tha në njoftimin për shtyp se KPK ka 30 ditë afat për ta njoftuar vendimin me shkrim, gjë që ende nuk është bërë. “Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, bazuar në pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr.84/2016 Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” -thuhet në njoftim. Tashmë u takon përfaqësuesve të Komisionerit Publik për të marrë hapat e mëtejshëm, pasi ONM nuk ka atribut vendimmarrës, por vetëm rekomandues.

Precedenti Dedja

Duket se përfaqësuesit ndërkombëtarë po ndjekin të njëjtën procedurë me atë të kryer më parë ndaj kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Edhe për të pati shumë diskutime mbi mënyrën e kalimit të vettingut. Fillimisht Dedja u “kryqëzua” nga ana e trupës gjykuese të KPK-së në lidhje me pasurinë, një pjesë e së cilës sipas tyre nuk justifikohej, por në ditën e vendimmarrjes, KPK vendosi që ta konfirmonte në detyrë. Kjo solli reagimin e ONM-së që i kërkoi Komisionerit Publik që çështjen ta ankimojë në Kolegjin e Posaçëm të Kualifikimit. Tashmë janë dy njerëzit e lartë të sistemit të drejtësisë Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë që kapërcejnë një tjetër sprovë, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, institucion i cili ka atribut përfundimtar për vendimmarrjen. Përfaqësuesit ndërkombëtarë që vëzhgojnë procesin e vettingut po reagojnë duke shprehur pakënaqësi për disa vendime të KPK-së, të marra gjatë javëve të fundit. Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit për disa gjyqtarë dhe prokurorë që ka patur të dhëna se ishin implikuar në korrupsion ose kishin kontakt me persona të papërshtatshëm dhe nuk justifikonin pasurinë i ka konfirmuar në detyrë, madje do jenë pjesë drejtuese e institucioneve të reja, KLGJ dhe KLP. Gjithashtu pika kyçe ku edhe vetë subjektet e rivlerësimit e kishin të vështirë të justifikonin ishte pasuria. Pavarësisht këtyre problemeve, KPK vendosi të konfirmojë në detyrë, çka në disa raste solli edhe reagimin e opozitës, që akuzon qeverinë se ka kapur institucionet e reja të drejtësisë. Megjithatë mbetet edhe një “sy kritik” siç është Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që në dy raste ka rekomanduar ankimimin e vendimit të Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit. Tashmë mbetet për t’u “provuar” shkalla e dytë e vettingut, vendimi i së cilës mbetet i formës së prerë.

Nuk ka kandidatë…

Faza e parë e vettingut duket se ka bërë të mendohen mirë gjyqtarët, para se të aplikojnë për të qenë pjesë e KLGJ-së ndonëse prej një jave është shpallur aplikimi për në KLGJ, askush nga gjyqtarët e Apelit nuk kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e këtij institucioni  që pritet të ngrihet. Shkarkimi nga detyra pasi nuk kaloi vettingun i gjyqtarit Besim Trezhnjeva, në prill të këtij viti ka bërë që KLGJ të mbesë pa kandidatë, e për pasojë të rihapet edhe një herë procesi nga e para. Duhej që shkarkimi i Besim Trezhnjevës të merrte formë të prerë në Kolegjin e Apelimit, që gjykata supreme të kërkonte ndihmën e çdo gjyqtari të apelit në rrethe për të zhbllokuar ngërçin e krijuar. Gjyqtarët e shkallës së dytë kanë afat deri në datën 15 shtator për të dorëzuar dokumentacionin, ose me email ose me postë, duke kërkuar që të marrin pjesë në qeverinë e re të gjyqësorit që do të jetë Këshilli i Lartë Gjyqësor. Duket se druajtja për të qenë pjesë e KLGJ-së vjen për shkak të vettingut, ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë nuk janë konfirmuar në detyrë. Mbi bazën e procedurave, nëse një gjyqtar apo prokuror aplikon për të qenë pjesë e KLGJ-së dhe KLP-së, atëherë automatikisht kalojnë në listën prioritare të vettingut. Kjo “pengesë” ngjan se mund të jetë e pakalueshme, pasi gjyqtarët druhen se mund të mos e kalojnë vettingun, ku mjaft të vështirë e kanë sidomos për të kapërcyer një nga tre shtyllat e verifikimit, siç është justifikimi i pasurisë. Nga 14 gjyqtarë që synonin Këshillin e Lartë Gjyqësor e kanë kaluar procesin 10 prej tyre, ndërsa katër u shkarkuan pas procesit të trefishtë dhe me prioritet. Një vit më parë thirrja për këtë proces u lëshua nga Gjykata e Lartë dhe pas mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve u shpallën 14 emra gjyqtarësh nga të gjitha nivelet prej të cilëve duhet të fitojnë vetëm gjashtë. Këshilli i Lartë Gjyqësor do ketë 11 anëtarë dhe përveç kontrollit në gjyqësor ka kompetenca edhe të vulosë vazhdimin në detyrë edhe të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që do kalojnë vettingun dhe që më pas do jenë gjyqtarët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është gjykata e re që shpresohet të gjykojë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar. E ndërsa procesi i vettingut ka përfunduar për kandidatët e KLGJ, nuk ka përfunduar ende për garuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prej të cilëve presin t’u dalë emri për në vetting edhe prokurorët Bujar Hoti, Shpëtim Kurti dhe Ramadan Troci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat