“Vettingu” merr pushimet. Gushti mbyll fazën e parë të pastrimit të drejtësisë

Shqipëria

“Vettingu” merr pushimet. Gushti mbyll fazën e parë të pastrimit të drejtësisë

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 19:42
Gjykata Kushteuese

Të paktën për 3 javët e ardhshme, vettingu dhe gjyqtarët e prokurorët kanë diçka të përbashkët, që janë pushimet verore. Muaji gusht është pika e takimit të palëve, që gjatë kohe do të marrin energji për sezonin e ri. E kthyer në laboratorin e filtrimit të drejtësisë shqiptare, salla e Pallatit të Kongreseve është mbyllur. Të vetmet dyer të hapura janë zyrat e administratës së KPK-së dhe të Komisionerit Publik, që presin ankesat e qytetarëve.

Përpara se të dorëzojë ankesën kundër dy gjyqtarëve të Apelit, Luan Llapi tregon se shprehja “i duruari, i fituari” i përshtatet më së miri përpjekjeve të tij disavjeçare për drejtësi.

“Kam që në vitin 1996 e deri tani, llogarit 21 vite nëpër gjyqe. Donin të më merrnin shtëpinë, ata që vetëm drejtësi nuk jepnin, por që donin të fitonin vetëm parà”, tha Luan Llapi, ankues në KPK.

Por, Luan Llapi duhet të presë ende, derisa të vijë radha e të denoncuarve prej tij. Në sitën e trefishtë, nga muaji mars deri në vijim janë rivlerësuar vetëm 47 gjyqtarë e prokurorë, ndërsa lista e atyre që do t’iu nënshtrohen vettingut është edhe 750 të tjerë.

Deri tani janë konfirmuar në detyrë 27 njerëz të drejtësisë, ndërsa 20 të tjerë u shkarkuan, kryesisht për problemet me pasuri të pajustifikuara, por edhe për lidhjet me njerëz të botës së krimit.

Nga Gjykata Kushteuese u shkarkuan 4 anëtarë dhe u konfirmuan vetëm dy, që në fakt edhe ata janë njëra me mandat të përfunduar dhe kryetari i ankimuar nga ONM-ja.

E ndërsa 8 vëzhguesit ndërkombëtarë u janë drejtuar rezidencave të pushimit me përshtypje të trazuara për drejtësinë tonë, Komisioneri Publik përveçse po shqyrton vendimet e Shkallës së Parë, po mbledh gjithashtu përshtypjet aspak të mira të qytetarëve, jo vetëm ndaj njerëzve të drejtësisë, por edhe ndaj vet vendimeve të KPK-së. Deri tani, në këto zyra janë depozituar 18 ankesa të qytetarëve.

Nga këta, 11 prej ankesave kundërshtojnë konfirmimin në detyrë të disa gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët po verifikohen, ashtu sikurse edhe propozimi i ONM-së për të riparë vendimin ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Kjo gjykatë humbi 5 anëtarë, ndërsa ngelen në detyrë 4 të tjerë. Cikloni i vettingut preku edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që ka mbetur tashmë pa kryetarin dhe 4 anëtarë. Ndërsa KLP e KLGJ së bashku humbën 9 kandidatë.

Aty ku e la, vettingu do të rifillojë shqyrtimin e dosjeve prioritare në shtator. Në këtë pikë, gjyqtarët, prokurorët dhe vettingu do të kenë diçka të përbashkët me politikën, që do të çelë sesionin në datën 3 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat