Si u prit vendimi i NATO-s në Kuçovë? Flasin ish pilotët dhe qytetarët

Shqipëria

Si u prit vendimi i NATO-s në Kuçovë? Flasin ish pilotët dhe qytetarët

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 10:33
NATO-s

Historia e bazës, nga ideja e italianëve në 1938, tek ndërtimi i saj në 1955, deri tek vendimi NATO-s

Pilotët: Do t’i hapen shumë mundësi rinisë, baza ka nevojë. Qyteti pret ringritjen e ekonomisë

Kur fillova punë në Aviacion rastisa të shihja inicialet H.D 1952 të gdhendura në njërën nga pllakat e betonit të pistës së avionëve. – Ky duhet të jetë gjyshi im, ai ka punuar në ndërtimin e kësaj piste – mendova në çast dhe nuk harrova t’ia tregoja sime ëme sapo vajta në shtëpi. – Edhe mund t’i ketë gdhendur ai ato iniciale, në 52-shin punuan edhe të burgosurit për ndërtimin e asaj piste – ma ktheu ime ëmë duke shoqëruar sa tha me një psherëtimë të thellë.

E solla sa më sipër për të treguar se punimet për të ndërtuar një bazë ajrore në Qytetin Stalin të asaj kohe filluan pikërisht në atë vit, për të përfunduar në 55-ën, në 15 Maj kur u inaugurua. Komandant i asaj baze u emërua piloti i klasit të parë Niko Hoxha. Vetëm 3 vjet më pas, në Dhjetor 1958, pilotët e kësaj baze detyruan të ulej në këtë pistë një avion anglez 4 motorësh që kishte shkelur hapësirën tonë ajrore. Në atë kohë ajo ngjarje bëri bujë në vendet e demokracisë popullore, shkruan gazetat dhe folën radiot në shumë vende.

– Ju kot sa vini këtu, keni njerëz aq të përgatitur sa fare mirë mund të ngrini shkollën tuaj të aviacionit – u thanë kursantëve tanë në ish-Bashkimin Sovjetik ato ditë – tregon Xhezmi Bode, ish kryeshturman në bazën ajrore të Q.Stalin. Xhezmiu ishte i pari dhe i vetmi në aviacionin shqiptar që kishte arritur klasin e parë si kryeshturman.

– Kur duhej, drejtoja njëherësh edhe tre çifte avionësh kundër tre objekteve ”armike” në fluturim – shton Xhezmiu.

Po Xhezmiu ishte vetëm njëra hallkë e atij zinxhiri të artë që përbënte atë që quhej efektivi i kësaj baze ajrore. Komanda e bazës njohu emra superpilotësh si Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Fahri Bubsi, Bardhyl Taçi, Vasil Andoni, Sokrat Prifti, Thanas Papa, Harilla Rebi, Viktor Vangjeli, Agim Balili e të tjerë emra që meritojnë të quhen krenaria e pilotimit shqiptar.

– Kuçova është mëma e aviacionit shqiptar, prej saj kanë dalë pilotët më të shquar të vendit tonë – thotë Përparim Kolasi, ish komandant i kompanisë së transportit dhe Shefi i Teknikës në këtë bazë ajrore në vitet 70-80, dhe më tej vazhdon :

– Nuk ishin vetëm pilotët ata që i bëjnë nder bazës ajrore të Kuçovës. Emrat e Niko Hoxhës, Fahri Bubsit, Bardhyl Taçit e të shumë të tjerëve nuk mund të mbeteshin aq të mëdhenj nëse nuk do të kishin mbështetjen e mendjeve të ndritura si inxh. Daut Gurabardhi, Llazi Foto, Sinan Alimerko, Ylber Hashorva dhe gjithë stafit inxhinjero-teknik të bazës ajrore të Kuçovës.

Me këta pilotë kaq të përgatitur dhe me atë staf inxhinierësh dhe teknikësh të përkushtuar, atdhetar e të sakrificës, baza ajrore e Kuçovës justifikoi ekzistencën dhe motivin e krijimit të saj edhe pas viteve 90, për t’u ”konservuar” në fund të viteve 90.

Baza ajrore e Kuçovës ishte një gjetje e zgjuar e italianëve që në 1938-ën, ideja u quajt e saktë edhe nga pushteti i pasçlirimit të vendit që në 52-shin filloj ndërtimin e pistës. Por kjo gjetje italiane u gjet si e drejtë edhe nga aleatët tanë amerikanë dhe NATO që e ringjallën pas një konservimi prej dy dekadash.

– Kthimi i aviacionit tonë në bazë e NATO-s është një projekt i viteve 1997-98. Vendimi i tanishëm i NATO-s është një vlerë e shtuar për ushtrinë tonë dhe një zhvillim shumë pozitiv për zonën tonë – kështu i përgjigjet pyetjes sime për përshtypjet dhe që i kishte lënë një vendim i tillë, inxhinjeri i aviacionit kuçovar, Gjon Fizi. Pyetja e fundit që ngacmonte kureshtjen qytetare pas vendimit të mësipërm të NATO-s ishte:

– Përse u zgjodh Kuçova dhe jo Gjadri apo Kukësi si vendi ku NATO do instalonte bazën e saj ?

Kësaj pyetje i përgjigjet kollaj fare Xhezmi Bode, ja se ç’thotë ai :

– Kuçova ka një pozicion gjeografik të përsosur, aerodromi është thuajse gati, kushtet klimaterike janë si t’i krijoje me dorë, pista e uljes së avionëve e mbrojtur lehtësisht dhe tek e fundit, veshi i kuçovarëve, beratasve dhe lushnjarëve mezi pret të dëgjojë zhurmën e munguar të krahçeliktëve këtu e 27 vite.

Në përfundim të këtij shkrimi për aviacionin e Kuçovës nën syrin e vendimit për shndërrimin e tij në bazë të NATO-s, nuk mund të lë pa theksuar dëshirën kuçovare dhe atë shqiptare që Aviacioni Ushtarak Shqiptar të ringjallet me këtë rast, që në qiellin tonë të fluturojnë sërish shqiponja alpesh.

Çfarë presin qytetarët e Kuçovës nga Baza Ajrore?

Vendimi i NATO-s për krijimin e bazës së saj në Kuçovë, në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare, pati impakt të larmishëm në opinionin e qytetarëve kuçovar. Them kështu sepse përveç opinionit mbizotërues dhe që përbën mbi 99% të këtij të fundit, atë që çdo gjë që e bënë Amerika e bënë mirë dhe në interesin tonë, kishte edhe të tjerë që me integritetin dhe dinjitetin e tyre guxojnë të shprehen edhe gri.

– E vërteta si drita e diellit është se avantazhet më të mëdha, interesat strategjike dhe benificet e shumta, i kanë vetë NATO dhe SHBA – thotë Përparim Kolasi që më tej vazhdon :

– Por ne duhet të shohim interesat tona, e duke e parë në këtë këndvështrim mendoj se do të jenë jo të pakta. Duke filluar me zhvillimin infrastrukturor të zonës, punësimin e shumë komunitarëve, jo vetëm në punë të rëndomta për të vazhduar pastaj, pse jo, me mundësinë e rekrutimit të të rinjve të shkolluar që me kurse afatshkurtra apo edhe afatgjatë, me trajnime e specializime të ndryshme, mund të ketë shumë hapësira për rininë kuçovare e atë beratase . Nëqoftëse është parashikuar që të krijohet dhe një Shkollë për përgatitjen e pilotëve, interesat dhe përfitimet do të jenë më të mëdha.

Mendoj se patjetër duhet të ngrihet një bazë e fuqishme Mirëmbajtje e Riparimi, që do ketë nevojë për specialistë të ndryshëm . U fol edhe për mbështetje të fortë logjistike, kështu që duhen hapësira e njerëz të profileve nga më të ndryshmet. Kam mendimin se mund t’u duhen hapësira (toka) shumë herë më shumë se sa ka baza jonë aktualisht, pra mund të përfitojnë banorët e Perondisë, Tapisë, Moravës e më gjerë. Them se duhet të bëhet një investim i fuqishëm në Energjinë elektrike dhe Ujësjellës – Kanalizime, që patjetër duhet të përfitojnë së paku Kuçova dhe Ura Vajgurore. Këto, mendoj unë, do të jenë interesat e përfitimet tona kryesore – përfundoj ligjëratën e tij në përgjigje të pyetjes sime, duararti i teknikës në aviacionin shqiptar, Përparim Kolasi.

Të rrallë, por ka edhe nga ata kuçovarë që mendojnë se zarari është më i madh se qari në këtë punë, Kuçova pas kësaj do të jetë vend kufitar, do të jetë në ballë të goditjeve në rastin e një lufte të supozuar.

– Është i kot një merak i tillë, prania e bazës së NATO-s në zonë është siguri e shtuar…ja, si mendon ti, një luftë të mundshme e përballojmë më mirë të vetëm apo me USA-n dhe NATO-n në krahë – u përgjigj Gjon Fizi kur i shpreha opinionin e mësipërm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat