Alarmi nga zjarret në Shqipëri, këto janë pesë zonat më të rrezikuara

Shqipëria

Alarmi nga zjarret në Shqipëri, këto janë pesë zonat më të rrezikuara

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 15:48
Ilustrim

Temperaturat e larta të shënuara ditët e fundit rrezikojnë rënien e zjarreve në disa qarqe.

Më të rrezikuara janë qarqet, Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër. Përballë kësaj situate që paraqet gjeoshkenca, Ministria e Mbrojtjes deklaron se forcat e armatosura janë në gatishmëri të plotë dhe në të njëjtën kohë kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve

Rreziku nga zjarret në këto ditë ku temperaturat kanë shënuar rritje të ndjeshme, mbetet evident. Instituti i Gjeo-shkencave publikon një raport të detajuar duke dhënë informacion mbi qarqet më të rrezikuara nga rënia e zjarreve. Sipas këtij raporti, në Gjirokastër dhe Korçë rreziku është më i ulët.

Por në zona të lokalizuara mund të ketë nivel më të lartë rreziku, konkretisht qarku Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë dhe qarku Gjirokastër.

Ndërkohë edhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, në një deklaratë të publikuar në rrjetin social Facebook shprehet se Forcat të Armatosura të Drejtorisë Operacionale janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore.

Ajo shprehet se Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre.

Më pas ajo shton se së bashku me Forcat e Armatosura do të jenë në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve. Nga ana tjetër u bënë apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale.

Ministrja e Mbrojtjes thotë se këtë verë Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve gjatë këtij sezoni veror. Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat