Si i filmoi viktimat autori i masakrës dhe përse hetuesit nuk i kanë gjetur ende videot

Shqipëria

Si i filmoi viktimat autori i masakrës dhe përse hetuesit nuk i kanë gjetur ende videot

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 17:45
Autori i krimit të 8-fishtë, Ritvan Zykaj

Autori i krimit të 8-fishtë, Ritvan Zykaj, menjëherë pas vrasjes ka vënë në dijeni kushëririn e tij.

Jo duke i telefonuar apo duke i shkruar diçka. Por duke i dërguar si provë një video. Pasi ka kryer krimin e rëndë, ai ka bërë një video. Ka filmuar një nga një viktimat të shtrira dhe ia ka dërguar videon djalit të hallës në “Facebook Messenger”.

Ai nga frika e ka fshirë videon menjëherë sapo e ka parë. I terrorizuar i ka thënë nënës së tij se çfarë kishte ndodhur. Mësohet se autori nuk i ka shkruar asgjë. Olardio Hoxha, 19-vjeçar, i ka treguar të gjitha këto në Polici, pasi ka qenë i pranishëm edhe ai me të ëmën te dreka ku ndodhej autori para krimit bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes.

Familja e Pashakos, hallës së autorit, ishin emigrantë prej vitesh në Itali, por prej disa ditësh kishin ardhur në Shqipëri për pushime.

Pas ngjarjes ata kanë shkuar vetë në Polici, duke treguar se çfarë kishte ndodhur. Burimet thanë se nuk kanë mundur ende ta administrojnë si provë këtë video, pasi kushëriri i autorit e ka fshirë.

Ndërsa nuk është arritur që të hapet profili në “Facebook” i autorit të krimit, duke qenë se ai e ka mbyllur pak momente para se të arrestohej. Burime nga grupi hetimor thanë dje se ngjarja është e dokumentuar, qoftë me prova, qoftë me dëshmi edhe nga vetë autori i krimit që ka pohuar gjithçka.

Megjithatë, edhe një provë e tillë, siç është videoja që ai vetë ka bërë, duhet administruar në dosjen e hetimit.

Për këtë arsye, ekspertët kanë nisur veprimet për hapjen e profilit të “Facebook”- ut të Ritvan Zykajt, në mënyrë që të gjejnë videon e dërguar me mesazh në adresën e djalit të hallës së tij. Deri tani ende nuk është marrë kjo provë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat