Negociatat, ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së: Nuk ka vend për zhgënjim

Shqipëria

Negociatat, ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së: Nuk ka vend për zhgënjim

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 16:49
Suela Janina

Ambasadorja e Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Suela Janina mendon se, “ndonëse një vendim për hapjen e menjëhershme të negociatave do të mund të na kishte gëzuar më shumë jo vetëm ne, por edhe 25 vendet anëtare që e kërkuan me bindje këtë hap, nuk ka vend për zhgënjim në vendimmarrjen e qershorit të Këshillit Europian”.

Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare“, Janina shprehet: “Muajt në vijim do të jenë mjaft të rëndësishëm, ne tashmë po hyjmë në një fazë që sa më përpara të ecim, aq më kërkuese dhe e vështirë do të jetë lëvizja, por që pa dyshim është një udhëtim që ia vlen çdo përpjekje”. Ajo zbulon edhe projektet apo lëvizjet diplomatike që do të fillojnë në muajt në vijim, me qëllimin final që qeveria shqiptare t’i mbushë mendjen Brukselit se e meriton hapjen e negociatave. Ambasadorja shqiptare në Bruksel tha se Shqipëria është dhe do të jetë proaktive edhe në axhendën rajonale.

Për këtë pritet do të ketë një takim të kryeministrave të rajonit në fund të këtij muaji, të organizuar për herë të dytë radhazi nga kryeministri Rama, ku do të jetë i pranishëm edhe komisioneri Hahn. Ndërkohë, “gjatë muajit shtator një projekt zhvillimi për një nga zonat natyrore më të bukura të rajonit, atë të Prespës, do të jetë në fokus të bashkëpunimit ndërmjet tri vendeve që prek liqeni i Prespës dhe Komisionit Europian, për t’i dhënë një dimension të ri zhvillimit të qëndrueshëm, ekoturizmit dhe përparimit ekonomik të kësaj zone”.

Znj.ambasadore, ky ka qenë një vit i vështirë sa i përket lobimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në qershor, ndryshe nga ç’ishte krijuar pritshmëria nuk u çelën negociatat, por u dha edhe një vit kohë për qeverinë shqiptare. Si e gjykoni këtë vendim? A mbetët ju e zhgënjyer, apo e dinit paraprakisht?

Është e vërtetë që ky vit ka qenë veçanërisht intensiv për arritjen e objektivit të hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE. Në fillim të vitit, aksioni ynë diplomatik u përqendrua në marrjen e rekomandimit të pakushtëzuar nga Komisioni Europian, i cili konfirmoi me publikimin e strategjisë së zgjerimit në prill se vendi ynë i ka përmbushur kushtet për fillimin e bisedimeve dhe më tej me vendet anëtare për mbështetjen e këtij rekomandimi dhe marrjen e vendimit politik për fillimin e negociatave. Ndonëse një vendim për hapjen e menjëhershme të negociatave do të mund të na kishte gëzuar më shumë jo vetëm ne, por edhe 25 vendet anëtare që e kërkuan me bindje këtë hap, nuk ka vend për zhgënjim në vendimmarrjen e qershorit të Këshillit Europian.

Ky vendim ka shumë elementë pozitivë, që ne duhet t’i shfrytëzojmë deri në qershorin e vitit të ardhshëm për të mbërritur në vendimin përfundimtar për uljen në tryezën e bisedimeve. Referuar edhe precedentëve të mëparshëm me vendet e anëtarësuara së fundmi dhe të atyre që aktualisht po negociojnë, vendimmarrja me hapa të ndërmjetëm nuk është një strategji e re, që aplikohet për herë të parë në rastin tonë dhe të Maqedonisë. Dinamika e zhvillimeve të brendshme të BE dhe debatet për të ardhmen e saj disa muaj para zhvillimit të zgjedhjeve europiane nuk favorizuan mesazhe më kurajoze për zgjerimin.

Në një analizë profesionale, përtej emocioneve politike, unë mendoj se vendimi i Këshillit është vendimi më pozitiv që mund të merrnim në kushtet aktuale. Këshilli mbështeti me shënime inkurajuese progresin e evidentuar nga Komisioni në të gjitha prioritetet kyçe dhe për herë të parë përcaktoi për vendin tonë një rrugë të qartë për uljen në tryezën e bisedimeve. Thuajse një muaj më parë Komisioneri Hahn zyrtarizoi në Tiranë fillimin e punës përgatitore, e cila në gjuhën teknike njihet si procesi “screening” dhe ky është një tregues konkret se ne nuk do humbim asnjë ditë në procesion përgatitor, që në çdo rast paraprin fillimin e negociatave.

Ndër njohësit e procesit është e qartë se muajt në sistemin e kohëmatjes së këtij procesi janë ditë, prandaj ne nuk kemi luksin të kemi zhgënjime, por duhet të ndjemi të inkurajuar që muajt në vijim t’i shfrytëzojmë maksimalisht për të intensifikuar ritmin e reformave në drejtimet e evidentuara në vendimin e qershorit dhe për të organizuar strukturat negociuese që kjo kohë të na gjejë të përgatitur në mënyrën më të mirë për të filluar fazën impenjuese të bisedimeve të anëtarësimit.

A ka qenë për ju e vështirë kjo periudhë lobimi, e cila realisht nuk ka përfunduar, por do të vijojë edhe në këto muaj deri në qershor vitin që vjen?

Posti diplomatik në Bruksel për vetë specifikat e punës që mbulon ka një ngarkesë të veçantë dhe në prag të vendimeve të rëndësishme është normale që ritmi i punës të intensifikohet përtej të zakonshmes. Ka pasur edhe raste kur përveç ngarkesës fizike të orëve të zgjatura të punës, të jemi përballur edhe me sfida jo të lehta, por që falë punës së stafit tim në Bruksel dhe mbështetjes së drejtuesve të MEPJ dhe kolegëve në Tiranë, kemi arritur bashkërisht t’i kapërcejmë vështirësitë dhe të synojmë të bëjmë më të mirën për përfaqësimin e vendit.

Muajt në vijim do të jenë mjaft të rëndësishëm, ne tashmë po hyjmë në një fazë që sa më përpara të ecim, aq më kërkuese dhe e vështirë do të jetë lëvizja, por që pa dyshim është një udhëtim që ia vlen çdo përpjekje.

Tashmë është çelur edhe procesi i “screening”. Si do të vijojnë kontaktet mes Brukselit dhe qeverisë shqiptare në këtë fazë?

Pas hapjes zyrtare të këtij procesi në Tiranë në 17 korrik, kontaktet intensive politike do të vijojnë ndërmjet Tiranës dhe Brukselit, por dhe me kryeqytetet e vendeve anëtare. Në planin teknik axhenda është konkrete, në bashkëpunim me strukturat e Komisionit Europian, po përgatisim kalendarin e takimeve shpjeguese për çdo kapitull të acquisë komunitare. Fillimisht do të niset ky proces me kapitujt më të rëndësishëm 23 dhe 24, që prekin parimet e shtetit të së drejtës dhe sezoni i ri në shtator do të fillojë me paraqitjen e legjislacionit të BE në këtë fushë për ekspertët tanë.

Po ashtu, do të vazhdojë bashkëpunimi me BE në kuadër të instrumenteve ekzistues të procesit të stabilizim asociimit; do të zhvillohen sipas planifikimit nënkomitetet në fusha të ndryshme, ecuria e të cilëve krahas procesit “screning”, do të përforcojë përgatitjen tonë për të përafruar vendin me standardet europiane në çdo fushë. Përveç aspektit teknik, që mbase nuk do të thotë shumë për qytetarin, është e rëndësishme të përmendim se qëllimi ynë është që t’i japim frymë këtij procesi, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojë në përmirësimin e përditshmërisë, duke inkurajuar dhe mbështetur projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen, transportin, energjinë, digjitalizimin, ekonominë, bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të rajonit.

Shqipëria është proaktive në të gjithë këtë axhendë rajonale, e cila do të nxitet në një takim të kryeministrave të rajonit në fund të këtij muaji, të organizuar për herë të dytë radhazi nga kryeministri Rama, ku do të jetë i pranishëm edhe Komisioneri Hahn. Gjatë muajit shtator një projekt zhvillimi për një nga zonat natyrore më të bukura të rajonit, atë të Prespës, do të jetë në fokus të bashkëpunimit ndërmjet tri vendeve që prek liqeni i Prespës dhe Komisionit Europian, për t’i dhënë një dimension të ri zhvillimit të qëndrueshëm, ekoturizmit dhe përparimit ekonomik të kësaj zone.

Ju në fakt keni qenë pjesë e takimeve të zhvilluara mes kryeministrit, ministrit të Jashtëm apo ministrave të tjerë të qeverisë shqiptare me drejtuesit e BE-së, e jo vetëm këtu në Bruksel. A ka pasur një kërkesë që Shqipëria të strehojë refugjatët që vijnë nga Siria?

Më lejoni t’i jap një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të shkurtër kësaj pyetje: jo, në asnjë rast nuk është paraqitur një kërkesë e tillë. Përtej diskutimeve tona të brendshme, pozicioni në Bruksel ka qenë i qartë, i përsëritur disa herë nga zyrtarët më të lartë, BE nuk ka asnjë interes të kthejë ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në “vend parkimi” për refugjatët. Çfarë Ballkani Perëndimor ka bërë në kohë krizash, duke u shfaqur si partner i besueshëm i BE, është e vlerësuar në Bruksel.

Shqipëria gëzon veçanërisht një imazh mjaft pozitiv për qëndrimet në një linjë me qëndrimet e BE në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Interesat tona kombëtare përputhen tërësisht me ato të BE dhe në respekt të tyre. Kontributi ynë në përballimin e sfidave të përbashkëta është jo vetëm shprehje e detyrimeve tona, por edhe pasqyrim i vlerave më të mira që ne përfaqësojmë dhe me të cilat do të investohemi si anëtarë të ardhshëm të këtij Bashkimi të bazuar në solidaritet dhe unitet.

Ju e dini shumë mirë mendimin jo fort entuziast të disa vendeve të BE, në mënyrë të veçantë të presidentit francez, Macron, kundër zgjerimit të Unionit. A mendoni se në këtë situatë do të ketë një votë “pro” Shqipërisë vitin që vjen, pavarësisht realizimit apo jo të detyrave të ngarkuara?

Në fakt, diskutimi për reformimin e BE nuk është një temë e re, ajo e ka bashkëshoqëruar rritjen e BE prej vitesh. Pranohet gjerësisht se, që BE të jetë më e fortë, më e qëndrueshme ndaj sfidave të shumta të kohëve tona, kërkesave të qytetarëve të saj dhe një aktor global, duhet të reformohet, ndonëse mënyrat, mjetet dhe fotografia e BE-së të së ardhmes ende nuk është e qartë. Ne, ndonëse nuk jemi ndikues aktivë në këto diskutime, i ndjekim me interes, sidomos në pjesën që na ndikon drejtpërdrejtë: reforma e BE dhe zgjerimi, për të cilën presidenti Macron paraqiti qëndrimin e tij para Samitit të Sofjes. Në gjykimin tonë, reformimi i BE dhe reformimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të ecin krah për krah, ato nuk kanë pse të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ne e kemi të qartë se sot nuk jemi gati për anëtarësim, por kemi nevojë për një strategji të qartë të BE-së për të përgatitur vendet tona për anëtarësim. Në këtë debat ne duhet të jemi të gatshëm të provojmë se anëtarësimi i vendeve të rajonit nuk do ta dobësojë BE, ne duhet të kapërcejmë perceptimin e të qënit pjesë e problemit, por të kontribuojmë për të qenë pjesë e zgjidhjes.

Entuziazmi ynë për të qenë pjesë e këtij Bashkimi, me gjithë vështirësitë që kalon, është një element frymëzimi për të ardhmen e BE-së, si i vetmi projekt i suksesshëm paqeje e përparimi në kontinentin tonë. Unë besoj se pas zgjedhjeve europiane në qershor, ky debat do të ketë marrë një drejtim pozitiv dhe interesi i vetë BE për të konsoliduar sigurinë dhe stabilitetin e saj me rajonin tonë do të jetë gjerësisht i pranueshëm.

Pas vendimit të Këshillit të Punëve të Përgjithshme të BE-së, ju u nderuat nga kryeministri Rama për punën që bëtë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ishte një surprizë e bukur për të katërt ambasadorët dhënia e medaljes së mirënjohjes nga kryeministri Rama në Tiranë, ku në fakt ishim nisur për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm të punës pas vendimit të Këshillit Europian. Ajo çfarë vlerësoj më shumë është mesazhi i inkurajimit që na u përcoll se ka ardhur koha që puna të vlerësohet dhe ndonëse aty u përmendën katër ambasadorë, unë besoj se ishte një mesazh pozitiv për të gjithë shërbimin e jashtëm, i cili ka fituar më shumë respekt dhe dinjitet për punën që bën në shërbim të vendit.

Personalisht jam mjaft mirënjohëse për këtë vlerësim, jo vetëm për këtë moment të veçantë, por edhe për të gjithë mbështetjen që kam pasur gjatë kryerjes së detyrës time. Të shërbesh për vendin dhe ta përfaqësosh atë në kryeqytetin e Evropës është një privilegj i veçantë, për mua kjo shkon përtej detyrës, është një kontribut sado modest, që përpiqem ta jap për të ardhmen tonë në BE, pasi në këtë rrugë shikoj një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi dhe brezin e tyre në vendin tonë.

Znj. Janina, në Belgjikë jetojnë e punojnë shumë shqiptarë? Cili është opinioni i përgjithshëm për ta atje?

Komuniteti shqiptar në Belgjikë është ndër komunitetet më të mëdha që kemi në Europë, ai numëron rreth 60.000 shqiptarë të vendosur në këtë vend mikpritës prej fundit të viteve ’50 dhe në vijim pas viteve ’90. Ky komunitet është i mirëintegruar në shoqërinë belge dhe në tërësi gëzon respekt, me gjithë disa fenomene negative që vitet e fundit janë zbehur falë edhe një bashkëpunimi në rritje të agjencive ligjzbatuese të dyja vendeve tona. Treguesi më konkret i aktivizimit të komunitetit shqiptar është edhe përfshirja e tyre në jetën shoqërore dhe politike të Belgjikës.

Këtë vit në tetor zhvillohen zgjedhjet lokale dhe unë jam e inkurajuar të shoh një numër të madh të kandidaturave të tyre për përfaqësim në njësitë lokale dhe shpresoj që ata do ta rrisin në këtë rast praninë e tyre, duke ndikuar jo vetëm në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në Belgjikë, por edhe përkrahjen ndaj komunitetit shqiptar. Jashtë çdo formalizmi, kam bindjen se çdo shembull suksesi bën diplomacinë më të mirë të mundshme për vendin tonë dhe pa u ndalur tek emrat e veçantë, Belgjika ka shembuj të tillë të shumtë në çdo fushë të jetës. Së shpejti, edhe me fokusin e veçantë që ka vendosur qeveria për diasporën, do të kemi zhvillime pozitive edhe në Belgjikë, duke e zgjeruar bashkëpunimin e ambasadës me komunitetin dhe forcuar praninë tonë me aktivitete jo vetëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, por edhe mirëqenien e komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe Luksemburg./BW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat