Kryeministri italian takon familjarë të dy viktimave shqiptarë, revoltohet xhaxhai i Marjus Djerrit: Kush është përgjegjës?

Shqipëria

Kryeministri italian takon familjarë të dy viktimave shqiptarë, revoltohet xhaxhai i Marjus Djerrit: Kush është përgjegjës?

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:15
Marjus Djerri

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka takuar familjarë dhe të afërm të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në urën e Xhenova.

“Nuk duhej të ndodhte”, tha Kryeministri Conte i përlotur, i cili shkoi paraditen e sotme në morgun e spitalit San Martino.

Kreu i qeverisë italiane takoi familjarët e personave që humbën jetën. Mediat italiane raportojnë se Kryeministri Conte kaloi disa minuta edhe më të afërmit e dy djemve shqiptarë që humbën jetën në këtë tragjedi.

Marjus Djerri 22 vjeç nga Shijaku dhe Admir Bokrina 31 vjeç (ose Edi sikurse i flasin miqtë) nga Shkodra, janë dy të rinjtë shqiptarë që u ndanë para kohe nga jeta. Ata udhëtonin së bashku me makinë për të shkuar në qytetin Rapallo, ku punonin në një kompani pastrimi. Shembja e urës u preu atyre udhëtimin. Dy shqiptarët u nxorrën të pajetë nga rrënojat.

Në rrjetet sociale, miq e të afërm kanë shprehur ngushëllimet për dy të rinjtë shqiptarë. Binte në sy veprimi prekës i së ëmës së Marjusit, e cila publikoi një foto duke puthur të birin.

Edhe të afërm të Admir Bokrinës nuk mund ta besonin se 31-vjeçari ishte ndarë nga jeta. Djali i tij i xhaxhait që jeton gjithashtu në Itali, ka publikuar një foto me të. “Është kushëriri im, por praktikisht ishte vëllai im”, thotë ai në një prej komenteve.

Kurse xhaxhai i 22-vjeçarit Marjus Djerri, që humbi jetën në Itali, ka shprehur revoltën për tragjedinë e ndodhur në Xhenova.

Edmond Tabaku 50 vjeç ka thënë se nipi i tij po shkonte në punë me makinë kur u shemb ura.

“Nipi im ishte duke shkuar në punë, ishte 22 vjeç. Ai lindi në Itali, ishte kopshtar dhe tifoz i Milanit”, ka thënë Edmond Tabaku për “Fanpage.it”.

50-vjeçari kërkon përgjegjësit për këtë tragjedi që u mori jetën 37 personave.

“Një strukturë e tillë nuk mund të rrëzohet në këtë mënyrë që të vrasë gjithë këta njerëz. Kush është përgjegjësi për një katastrofë të tillë? Nga Kryeministri Conte kërkojmë më shumë siguri, jetoj këtu në Itali prej 35 vitesh dhe siguria duhet të garantohet“, shprehet xhaxhai i Marjus Djerrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat