Qeveri e luksit, 9.9 miliardë lekë për zyrat e ministrive në 2018

Shqipëria

Qeveri e luksit, 9.9 miliardë lekë për zyrat e ministrive në 2018

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 08:15
Edi Rama

Ndryshimi i strukturës qeveritare pas zgjedhjeve të qershorit 2017 dhe riformatimi i zyrave të administratës qendrore sidomos, ka rritur shpenzimet për zyra dhe orenditë e ambienteve. Për vitin 2018 janë planifikuar 990 milionë lekë (të reja) për këtë rikonstruksion e mobilim zyrash të qeverisë, nga të cilat vetëm në tremujorin e parë janë harxhuar 621.8 milionë lekë (të reja). Kështu, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron të dhënat për ecurinë e shpenzimeve publike, midis të cilave edhe ato për rikonstruksione, pajisje dhe mobilim për zyrat e administratës. Në bazë të dhënave paraprake të shtatëmujorit, këto harxhime janë në shifrën 621.86 milionë lekë ose 2.78% e realizimit faktik të investimeve të brendshme.

Buxheti

Konkretisht, për muajin e shtatë të vitit 2018 (të dhëna paraprake) është konstatuar një realizim i investimeve në masën rreth 34.7 miliardë lekë ose rreth 88.3 përqind, në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë në buxhetin fillestar 2018. Respektivisht, projektet e investimeve me financim të brendshëm kanë shënuar një realizim faktik total në masën rreth 22.3 miliardë lekë ose 95.8 përqind të planit të periudhës, ndërkohë që ato me financim të huaj kanë shënuar një realizim në masën rreth 12.1 miliardë LEK ose rreth 76.9 përqind të planit të periudhës. Kundrejt planit vjetor 2018, për 7 mujorin janar-korrik është konstatuar një realizim i përgjithshëm i investimeve publike në masën 40.1 përqind, ku financimi i brendshëm dhe financimi i huaj janë realizuar përkatësisht në masën 40.4 përqind dhe 39.5 përqind të planit vjetor respektiv.

Mobilimi i zyrave

Nga shifrat e Ministrisë së Financave, për periudhën 7-mujore janar-korrik 2018, rezulton se: Shpenzimet për “Pajisje dhe mobilim zyrash”për vitin 2018 janë planifikuar në masën 342.1 milionë lekë ose 0.6% të totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55.17 miliardë lekë. Për periudhën 7-mujore ato janë realizuar në nivelin faktik prej 76.3 milionë lekë ose 22.3% e planit, kundrejt nivelit faktik të totalit të investimeve të brendshme prej 22.3 miliardë lekë.

Rikonstruksioni i zyrave

Shpenzimet për “Rikonstruksion/ndërtim zyrash”, për vitin 2018 janë planifikuar në masën 647.8 milionë lekë ose 1.17% të totalit vjetor të investimeve të brendshme prej 55.17 miliardë lekë, shpjegon Ministria e Financave. Për periudhën 7-mujore ato janë realizuar në nivelin faktik prej 545.5 milionë lekë ose 84.2% e tij, kundrejt nivelit faktik të totalit të investimeve të brendshme prej 22.3 miliardë lekë.

Denoncimi i opozitës

Shpjegimet e Ministrisë së Financave pas akuzave të opozitës se ka shpërdorim të parave në funksion të jetës së luksit, të komunitetit të zyrave, duke ‘injoruar’ domosdoshmërinë e shpenzimeve për projekte publike, konkretisht të Teatrit Kombëtar. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, përmes një statusi në “Facebook” tha se ironia më e madhe është se këto shifra publikohen në kulmin e betejës që po bëhet me qeverinë për të shpëtuar Teatrin Kombëtar nga shembja me argumentin se “qeveria nuk ka para”, duke e cilësuar vjedhje investimin e qeverisë për rikonstruksione zyrash. “Vetëm për 7 muaj kryeministri hajdut, alias Ali Baba me të gjithë 40 hajdutët në qeveri kanë badërdisur 40 milionë euro për luks e zyra. Të gjithë qanin e lanin si legena, qeveri e bashki në TV e nëpër dëgjesa, në konferenca shtypi e nëpër çdo rrëzë përpara kamerave e lehnin pa u lodhur, që “s’kemi fare para, ndaj do t’ia japim gjithë zemrën e Tiranës, privatit, që të na bëjë sevap një Teatër. Para për Teatrin nuk ka, as për një spital të ri në Fier nuk ka, por ka plot para për t’i vjedhur e grabitur në luks idiotësh. Nuk ka para as për rrugët, as për By Pass-et, as për ngrohjen e shkollave, as për ilaçe, por ka miliona euro për ËC-zyrash, fasada, kolltuqe, tapete, mokete. Ja kështu i vjedhin ditën për diell paratë e shqiptarëve, plot 40 milionë euro, Ali Baba në krye të qeverisë me të gjithë 40 hajdutët e tjerë”, shkruan Vasili.

Për vitin 2018 rezulton plani i shpenzimeve për rikonstruksione, pajisje dhe mobilim për zyrat e administratës për vitin 2018 është 990 milionë lekë ose 1.79% e totalit të investimeve të brendshme. Shpenzimet faktike për rikonstruksione, pajisje dhe mobilim për zyrat e administratës si 7-mujor rezultojnë 621.86 milionë lekë ose 2.78% e realizimit faktik të investimeve të brendshme.

PD: Shëndetësia falas, një mashtrim, shërbimi u shtrenjtua

Deputetja e PD-së Lindita Metaliaj, në një deklaratë për media ditën e djeshme, akuzoi qeverinë se premtimi për shëndetësi falas ishte një mashtrim, ndërsa prej pesë vitesh shqiptarët paguajnë më shtrenjtë për jetën. Në këtë dalje për media, Metaliaj denoncoi mungesën e mjekëve specialistë në spitale, duke e lënë sistemin shëndetësor në mëshirë të fatit. “Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare, QSUT.”-thuhet në konkluzionin e KLSH-së.  Për shkak të mungesave skandaloze të pajisjeve në spitale, mjekët ose nuk pranojnë të shkojnë ne rrethe ose largohen në emigrim. Mungesa e performancës në shërbimin parësor, pra në qendrat shëndetësore është treguesi më i qartë sesi sistemi është lënë në mëshirë të fatit, pa investime, me infrastrukturë të rrënuar, pa pajisje, pa ilaçet më elementare”. Gjithashtu tha se qeveria e ka centralizuar shërbimin shëndetësor në një spital të vetëm, ku ministrja kontrollon tenderë qindra milionësh. “Sistemi është vënë në shërbim të koncesioneve korruptive, veçanërisht të check up-it, pasi puna e mjekut dhe infermierit matet jo si i shërben qytetarit, por me sa analiza check up bën në muaj. Përqendrimi i pacientëve në QSUT është treguesi sesi situata në spitalet e rretheve është përkeqësuar për shkak të braktisjes nga qeveria dhe centralizimit të shërbimit në një spital të vetëm, ku Ministrja kontrollon tenderët qindra milionësh. Së fundi, por jo për nga rëndësia: raporti i KLSH provon atë që vuan sot çdo shqiptar i zakonshëm: shtrenjtimin e një shërbimi më të keq shëndetësor. Dhënia me koncesion e shëndetit të shqiptarëve nga Edi Rama është arsyeja kryesore e përkeqësimit të përditshëm te shëndetësisë”, saktësoi ajo.

Luçiano Boçi: Shteti i shtrenjtimit të arsimit

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi në një status në “facebook” ditën e djeshme, denoncoi ministren e Arsimit dhe qeverinë Rama për rritje e çmimit të librave nga klasa e parë deri në të mesmen. Ai tha se shpenzimet për arsimin janë rritur, ndërsa varfëria dhe besimi të sistemi arsimor është në nivelet më të ulëta. “Përkundër domosdoshmërisë e dëshirës së nxënësve e familjeve të tyre, Rama e Nikolla kanë rritur çmimet për paketat e teksteve, në të gjithë sistemin që nga klasa e pestë e deri në klasat e mesme. E kjo ndodh në një kohë, kur shpenzimet për arsimim, për çdo familje shqiptare, janë rritur në tërësi, kur varfëria është shtruar këmbëkryq, kur besimi tek sistemi arsimor është në pikën e tij më të ulët. Ndërsa për klasat e para deri tek të katërtat, ai “falasi” i teksteve, është tamam-tamam i dhënë si cingunët, “me shpinën e dorës”. Nxënësit e vegjël penalizohen nëse i zhgarravisin, nëse i shënojnë, nëse i grisin, sepse ata duhet t’i dorëzojnë. Për fëmijët sipas qeverisë, kujtimet e fëmijërisë të lidhura me abetaren, me shkrimin e parë, me vizatimet e para, me gjithçka që formëson botën e fëmijës, duhet të zhduken. Shtatori me sa duket nis me halle të shtuara për çdo familje shqiptare, por dhe me shpresën se fundi i paturpësisë së kësaj qeverisje nis po në shtator”, tha Boçi.

Meta në Kosovë, takon serbët në komunën e Shterpcës

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një postim në “facebook” ka publikuar disa foto nga vizita e fundit që ka kryer në një komune me popullsi serbe në Kosovë, ku shkruan se është e admirueshme bashkëjetesa midis serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa Shterpca është një model për investimet bashkëkohore dhe punësimin. “Të dashur miq! Kënaqësi të vizitoja fermat ku kultivohen mjedrat më të mira në botë, në komunën e Shterpcës (Brezovicë) dhe një investim bashkëkohor të përpunimit dhe ruajtjes së frutave të pyllit. Vizioni i Bratislavit, Kryetarit të komunës mbështetur tek shpirti punëtor i këtij komuniteti të shkëlqyer ka sjellë ndryshime tepër shpresëdhënëse, duke hapur vende të reja pune dhe të ardhura më të mira për banorët dhe komunën. Shterpca është një komunë model, ku bashkëjetesa midis serbëve e shqiptarëve është e admirueshme dhe solide”, shkruan Meta.

Bujar Nishani: Po shpopullohemi, në 2030 do jemi më pak se 1 milion  

Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka reaguar në një status në rrjetet sociale, pas publikimit të statistikave të INSTAT për shpopullimin nga ikjet masive në emigracion. Duke kundërshtuar raportin e këtij institucioni Nishani shkruan se shifrat e statistikave serioze të vendeve pritëse tregojnë një emigrim masiv të shqiptarëve, renditur pas sirianëve të gjendur në luftë dhe masakra. “Pasiguri, frikë, ambient armiqësor, mungesë totale e funksionimit të shërbimit shtetëror. INSTATI i qeverisë shqiptare duke përmendur shkarazi emigrimin e shpërndan atë në mënyrë manipulimi hilanjos politik, si një fenomen i shtrirë nga viti 2011 e në vazhdim. Padyshim qe viti 2011 dhe 2012 nuk ishin si vitet 2007-2008-2009 kur emigrantët shqiptarë në Itali e Greqi nisën të kthehen në Shqipëri bashkë me partnerë italianë e grekë në investime të bizneseve kryesisht në fushën e shërbimeve. Ishte një periudhë pothuajse bumi investimesh të mesme nga ky grupim dhe investimesh madhore nga gjigandë ndërkombëtarë të energjisë, infrastrukturës dhe industrisë përpunuese”. Ndër të tjera, Nishani bazuar edhe në raportin e INSTAT, paralajmëron se në vitin 2030 do jemi më pak se 1 milion, kjo për shkak të emigrimit masiv të shqiptarëve. “Sot, pas këtij raporti të INSTAT, të maviosur me katran manipulativ politik, asgjë nuk ka ndryshuar. Pasiguria e shqiptarëve vijon të shtohet! Shpresa tek të gjitha gjeneratat për të nesërmen po shuhet me shpejtësi. Ikja nuk ndalon! Në vitin 2030 do jemi më pak se 1 milion. Po nuk e ndaluam ringjalljen e të keqes, në 2040 do katandisemi ndoshta vetëm disa qindra mijë”, tha Nishani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat