Gjyqtarët e Apelit, “frikë” të aplikojnë për në KLGJ; Gjykata e Lartë serish thirrje për vakancën

Shqipëria

Gjyqtarët e Apelit, “frikë” të aplikojnë për në KLGJ; Gjykata e Lartë serish thirrje për vakancën

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Faza e parë e Vetting-ut duket se ka trembur shumë gjyqtarë, sidomos ata të Apelit. Duket se askush nuk ka aplikuar për në KLGJ nga shkalla e dytë e gjyqësorit, edhe pse kanë kaluar tre javë nga thirrja për vendin bosh të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, çka ka detyruar Gjykatën e Lartë që të bëjë serish thirrje për aplikantë.

Shkarkimi i Besim Trezhnjeves në prill e ka futur në rreth vicioz çështjen e një prej institucioneve të reja të drejtësisë që duhet të ngrihet.

Në datën 13 prill, ditën kur u shkarkua Besim Trezhnjeva (kandidat për në KLGJ) Top Channel paralajmëroi futjen në krizë të procesit për ngritjen e institucionit më të ri në drejtësi.

Por duhej që shkarkimi i Besim Trezhnjevës të merrte formë të prerë në Kolegjin e Apelimit, që gjykata supreme të kërkonte ndihmën e çdo gjyqtari të apelit në rrethe për të zhbllokuar ngërçin e krijuar.

Ata kanë afat deri në datën 6 shtator për të dorëzuar dokumentacionin, ose me email ose me postë, duke kërkuar që të marrin pjesë në qeverinë e re të gjyqësorit që do të jetë Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Kanë kaluar mbi 3 javë nga thirrja e Gjykatës së Lartë që çeli garën për në KLGJ, por askush nuk ka shprehur interes për të konkurruar, përderisa ata do t’i nënshtrohen me prioritet procesit të rivlerësimit. Ekspertët nga ana e tyre e lidhin mungesën e kandidaturave me standartet e procesit të vettingut. Ligji cakton si detyrim kandidaturën e një gjyqtari nga apelet e rretheve, i cili duhet të garojë drejt KLGJ.

Kurse dy pretendentët e tjerë, Nertina Kosova dhe Ilir Toska që e kaluan procesin i përkasin Apelit të kryeqytetit, por nga 14 gjyqtarë që synonin Këshillin e Lartë Gjyqësor e kanë kaluar procesin 10 prej tyre, ndërsa katër u shkarkuan pas procesit të trefishtë dhe me prioritet.

Një vit më parë thirrja për këtë proces u lëshua nga Gjykata e Lartë dhe pas mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve u shpallën 14 emra gjyqtarësh nga të gjitha nivelet prej të cilëve duhet të fitojnë vetëm gjashtë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do ketë 11 anëtarë dhe përveç kontrollit në gjyqësor ka kompetenca edhe të vulosë vazhdimin në detyrë edhe të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që do kalojnë vettingun dhe që më pas do jenë gjyqtarët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është gjykata e re që shpresohet të gjykojë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar.

E ndërsa procesi i vettingut ka përfunduar për kandidatët e KLGJ, nuk ka përfunduar ende për garuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prej të cilëve presin t’u dalë emri për në vetting edhe prokurorët Bujar Hoti, Shpëtim Kurti dhe Ramadan Troci.

Që nga muaji mars e deri tani janë shkarkuar 20 njerëz të drejtësisë, që prekin majat më të larta që nga Gjykata Kushtetuese e Gjykata e Lartë, të dyja këto në krizë tashmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat