Zbulohet se çfarë po i sjell breshkat e ujit në brigjet shqiptares

Shqipëria

Zbulohet se çfarë po i sjell breshkat e ujit në brigjet shqiptares

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 10:20
Pamje nga video

Ardhja e breshkës detare në brigjet shqiptare për folezim ngjall te ekspertët shpresën për shtim të biodiversitetit dhe rritje të turizmit të qëndrueshëm.

Gjatë muajit gusht ekspertët shqiptarë qenë në gjendje të monitorojnë për herë të parë hapat e dhjetëra breshkave të vogla të ujit drejt detit. Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, biologët gjetën gjurmë të pranisë së foleve të breshkave të detit dhe i monitoruan ato për disa ditë, duke u siguruar që të vegjlit të gjenin rrugën nga rëra drejt ujit.

Deti Adriatik dhe Mesdhe janë shtëpi e breshkës së zakonshme të ujit, njohur si  Caretta Caretta, por ndërsa dihej që ajo i gëzohej detit për ushqim dhe jetesë, nuk kishte prova që Shqipëria preferohej prej breshkave edhe për folezim.

Rritja e temperaturave është sipas drejtori të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi, arsyeja e këtij fenomeni të pazakontë për vendin tonë.

“Kjo është hera e parë që monitorohet një fole dhe tashmë ne e dimë se në Shqipëri folezokan edhe breshkat detare të tipit karreta,” tha Koçi për BIRN.

“Me rritjen e temperaturat ekspertët paralajmëruan zhvendosjen e folezimit më në veri,” shtoi ai.

“Bregdeti duhet të ketë disa specifika që ajo të zgjedhi të hedhi vezët atje. Duhet të jetë të paktën gjysmë metri nga niveli i detit, të ketë rërë të imët, me një farë densiteti të caktuar,” thotë Koçi.

Breshkat mëma dalin në sezonin e shumimit në breg për të krijuar në rërë një gropë 40-50 cm, ku lënë vezët e tyre për një periudhë 50-60 ditore. Breshkat e vogla më pas çajnë vezët dhe dalin kryesisht gjatë natës për të udhëtuar drejt detit.

Vendet më të preferuara të breshkave të ujit për folezim janë Greqia, Turqia, Italia e Jugut dhe Qipro.

Ndonëse edhe në Shqipëri dyshohej prej disa vitesh tashmë prania e breshkës së ujit, 50 të vegjlit e dalë në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta gjatë muajit gusht provojnë se një tjetër vend fqinj iu shtua vendlindjeve të breshkave detare.

“Ky numër që ka dalë nga foleja mendohet si një sukses i joni, është një vlerë e shtuar për parkun tonë,” thotë Ardian Koçi, ndërsa shton se mungesa e eksperiencës me breshkën e ujit do të kërkojë trajnime të stafit në vazhdimësi nga ekspertë të huaj.

“Në drejtim të breshkës ka jo vetëm investime për mbrojtjen dhe monitorimin e saj, por ka edhe një turizëm që është i lidhur në mënyrë specifike me breshkën,” shton Koçi, optimist se vizitorët e rinj detarë do të sjellin turistë dhe do të ngjallin më shumë interes për Divjakën.

Parku Divjakë-Karavasta popullohet nga 245 lloje shpendësh dhe speciesh, ku simboli është Pelikani Kaçurrel. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat